Konflikti i fortë mes biznesmenëve në Vlorë, reagon drejtori i përgjithshëm i Policisë: Vazhdon hetimi për orë të tëra dhe...

Aktualitet

Konflikti i fortë mes biznesmenëve në Vlorë, reagon drejtori
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita dhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, kanë reaguar nga Kukësi në lidhje me ngjarjen e konfliktit të dy biznesmenëve në Vlorë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha: “Ngjarja e Vlorës ishte një ngjarje që, në marrjen e njoftimit në momentin e parë, u angazhuan shumë shpejt forcat policore. U bë i mundur ndalimi dhe kapja në flagrancë e disa prej autorëve, të cilët u vunë menjëherë në masën e arrestit në flagrancë.

Vazhdoi hetimi për orë të tëra dhe, edhe në këto momente që jemi së bashku, vazhdojnë veprimet procedurale, edhe në bashkëpunim me prokurorinë.

Është një ngjarje që vërtet ka marrë vëmendje të madhe, por nga ana e policisë, edhe në deklaratën e parë që u dha dje nga drejtori vendor, vazhdon verifikimi i pretendimeve të të gjitha palëve për kryerjen e veprimeve.”

Ndërsa ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, tha: “Ajo çfarë është e rëndësishme, pa hyrë në çështje operacionale, që i takojnë Policisë së Shtetit, është reagimi i menjëhershëm, i shpejtë i Policisë së Shtetit.

Siç e tha drejtori, edhe tani që po flasim vijojnë veprimet hetimore. Pati menjëherë persona të arrestuar, persona të cilët janë ende në kërkim dhe besoj do të gjenden dhe do të vihen para drejtësisë.

Policia e Shtetit mbetet në dispozicion të ligjit dhe të gjitha udhëzimeve të prokurorit të çështjes për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe, patjetër, për vënien para përgjegjësisë të autorëve të përfshirë në këtë situatë.”

ME TE LEXUARAT