“Kemi kredi dhe fëmijë për të ushqyer” – Gjyqtarja reagon pas bllokimit të pagave nga Thesari

Bllokimi i pagave të magjistratëve në Thesar ka sjellë reagime në gjithë opinionin publik, por edhe nga radhët e gjyqësorit. Gjyqtarja e Gjykatës Administrative, Afërdita Caco, ka reaguar publikisht për situatën, duke ngritur shqetësimin për pasojat financiare që vonesa e pagave sjell për gjyqtarët dhe familjet e tyre.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo përmend pagesat e kredive dhe shpenzimet familjare, ndërsa e lidh situatën edhe me çështjen e pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
“Paga e gjyqtarit nuk mund të ulet, po ama mund të bllokohet fare, kështu që mos paguash kredi, ushqime, veshmbathje për fëmijët meqë fillon shkolla, se shteti i së drejtës për disa do të thotë legjislativi, ekzekutivi dhe drejtësia duhet të jenë në duart e një personi”, shkruan gjyqtarja.
Në reagimin e saj, kritikon gjithashtu nismat ligjore që, sipas saj, bien ndesh me Kushtetutën.
“Miratimi i një tjetër ligji antikushtetues veçse sa zgjat kalvarin e padrejtësisë, po nuk e bën ligjin mbi Kushtetutën. Kushdo që konsideron se mund të qëndrojë mbi Kushtetutën, nuk reflekton mjaftueshëm”, vijon ajo.
Pavarësisht situatës, gjyqtarja thekson se puna do të vijojë normalisht dhe se magjistratët do të ushtrojnë detyrën duke respektuar Kushtetutën dhe ligjin.
“Do vazhdojmë të kryejmë detyrën me përgjegjësinë maksimale edhe në kushte të vështira e të paprecedentë, duke iu bindur me besnikëri Kushtetutës e pastaj ligjeve”, përfundon Caco.


