Janë përdorur për shitblerje tokash në Zvërnec, SPAK: Sekuestrohen 128 mln euro

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka vendosur sekuestro preventive mbi më shumë se 128 milionë euro, të lidhura me tre transaksione të mëdha për shitblerje tokash në zonën e Zvërnecit.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, shumat monetare ndodhen në llogarinë bankare të noteres publike Amela Mukaj.
Detajet e shumave të sekuestruara
i) Shuma e parave 110.247.134 euro, sipas kontratës së shitjes me nr. 2062 rep., nr. 1166 kol., datë 24.04.2026 me palë Artur Shehu dhe “Albanian Land Development” sh.p.k., e ndodhur në llogarinë numër 435001036CLPRBFEURMJ të noteres AMELA MUKAJ PERSON FIZIK.
ii) Shuma e parave 10.044.684 euro, sipas kontratës me nr. 2060 rep., nr. 1164 kol., datë 24.04.2026 me palë Ferdinand Sulaj dhe Burbuqe Sulaj dhe “Albania Land Development” sh.p.k., e ndodhur në llogarinë numër 435001036CLPRBFEURMJ të noteres AMELA MUKAJ PERSON FIZIK.
iii) Shuma e parave 8.062.619 euro, sipas kontratës me nr. 2061 rep., nr. 1165 kol., datë 24.04.2026 me palë Ferdinand Sulaj dhe Burbuqe Sulaj dhe “Albania Land Development” sh.p.k., e ndodhur në llogarinë numër 435001036CLPRBFEURMJ të noteres AMELA MUKAJ PERSON FIZIK.
Në total, vlera e sekuestruar në këto tre transaksione arrin në më shumë se 128 milionë euro.
Hetimi dhe masat e sigurisë
Prokuroria e Posaçme ka lëshuar 20 masa sigurie për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim te parave në vlera të mëdha, në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Nga këto masa, pesë janë arrest shtëpie ndërsa 15 arrest në burg, por përmes burimeve mësohet se vetëm 5 janë ekzekutuar.
Fletë arresti është prerë për biznesmenin e shumëpërfolur Artur Shehu, një nga pronarët e një sipërfaqeje shumë të madhe toke në Zvërnec. Por masa për të nuk është ekzekutuar pasi ai ndodhet në SHBA me azil politik.
Në kërkim është edhe biznesmeni Ilir Shtufi dhe Orges Birçaj, dy vëllezërit Abedin Koçeku dhe Luçiano Koçeku.
Masë arrest është lëshuar edhe për dy persona, Dritan Aga dhe Gëzim Islami.
Ndërsa në pranga ka rënë biznesmeni Orest Sota, i cili më herët është pyetur për 5 ore në prill të këtij viti për dosjen AKSHI. Në arrest shtëpie është lënë Edmond Jaupi.
Sota është arrestuar më 1 nëntor 2017 pasi u kap duke qarkulluar në automjet me 863 mijë euro, por kjo çështje është pushuar më pas.