“Ishallah s’na bëjnë edhe oksigjenin me pagesë” – Protestuesi: Këtu asgjë nuk funksionon, po na prekin familjen

Nga sheshi i ditës së 67-të të protestës dhe rezistencës popullore për ndryshimin e sistemit politik, dorëheqjes së qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, sot pati edhe kauza për minatorët.
Një grup të rinjsh të veshur si minatorë dhe me parulla në duar, u shprehën se ata përfaqësonin minatorët e keqpërdorur nga qeveria, që i ka lënë pa status, teksa bënë thirrje që kjo kategori t’i bashkohej sa më parë sheshit dhe revoltës.
“Mesazh të fortë nga sheshi që njerëzit ta marrin vesh, besojmë që ta marrin vesh. Ky është simboli i protestës për të përfaqësuar minatorët që të dalin në këtë shesh. Kemi shumë arsye dhe kauza, një prej tyre janë minatorët”, tha një i ri protestues.
Më tej ai shpjegoi se protestohej për shkak se në Shqipëri asgjë nuk funksiononte, nga shëndetësia te arsimi.
Ai denoncoi qeverinë se tani po merrej edhe me familjet shqiptare duke bërë ligjin e terapisë hormonale.
“Pse të mos protestojmë në shesh, ka shumë kauza, institucionet nuk funksionojnë, në spital nuk merr dot asnjë lloj shërbimi, arsimi po ashtu. Këta do na bëjnë edhe ligjin për terapinë hormonale për fëmijët, këta kanë futur duart edhe aty ku s’duhet, po merrem edhe me familjen tani”, vijoi ai.
Në fund i riu tregoi se jetesa është e vështirë edhe pse ai kishte një punë të mirë, shpesh i duhej të merrte edhe borxh në fund të muajit.
“Të jetosh në Shqipëri është shumë e vështirë, jam prind i dy vajzave dhe fundi i muajit është i vështirë edhe pse kam një punë të mirë, në fund të muajit mund të marrësh edhe 150 mijë lekë. Thjesht hamë bukë dhe marrin oksigjen. Ishallah nuk na bëjnë edhe oksigjenin me lekë”, thotë ai duke ironizuar nismat kontroverse të qeverisë.


