Infermierja ndërroi jetë në aksident, kolegët e Spitalit të Dibrës: Arta, shembull i përkushtimit dhe humanizmit

Arta Çera është infermierja e cila ndërroi jetë ditën e sotme në Spitalin e Traumës pas një aksidenti të ndodhur në oborrin e shtëpisë.
Ka qenë bashkëshorti i saj, i cili ka ndezur automjetin e parkuar në oborrin e banesës dhe për një moment ka humbur kontrollin e makinës, duke përplasur për vdekje bashkëshorten e tij.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar dhe Spitali Rajonal i Dibrës ku Arta Çela punonte prej vitesh:
Me hidhërim të thellë njoftojmë se si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik është ndarë nga jeta kolegia jonë e dashur dhe e përkushtuar, Arta Çera.
Si një infermiere e shkëlqyer në pavionin e reaminacionit, ajo ishte një shembull i vërtetë i përkushtimit, humanizmit dhe profesionalizmit në çdo hap të punës së saj të përditshme.
Spitali Rajonal Dibër i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve, të afërmve, miqve dhe kolegëve. Stafi i Spitalit Rajonal Dibër jemi të gjithë me ju në këto ditë të vështira dhe ju sigurojmë për mbështetjen tonë të plotë.
Qoftë i paharruar kujtimi i saj!
Gjithashtu përmes një postimi në rrjete sociale ka reaguar edhe Urdhri i Infermierit të Shqipërisë që i shpreh ngushëllimet familjarëve dhe vlerëson Arta Çerën.


