Hyrje e re për në Portin e Vlorës, automjetet do të dalin direkt në Transballkanike

Nga dita e sotme, Porti i Vlorës do të ketë një hyrje të re direkte nga rruga Transballkanike, e cila tashmë është vënë në funksion. Ky ndryshim pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e automjeteve në hyrje dhe dalje të portit, pasi mjetet do të kenë akses të drejtpërdrejtë në aksin rrugor kryesor.
Riorganizimi vjen si pasojë e vënies në dispozicion të pothuajse të gjithë territorit të portit për realizimin e projektit “Vlora Marina”. Ndërkohë, parkimi i Doganës pritet të zhvendoset në një terren të marrë me qira nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Sipas procedurave të reja, kamionëve dhe mjeteve të tjera që kryejnë formalitetet doganore do t’u vendoset plumbçja menjëherë pas zbritjes nga trageti, ndërsa më pas do të drejtohen drejt pikës së re doganore, ku do të përfundojnë procedurat përkatëse.


