Humb jetën turisti te Shkëmbi i Kavajës, dyshohet për arrest kardiak në det

Aktualitet

Humb jetën turisti te Shkëmbi i Kavajës, dyshohet për arrest

Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e sotme në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ku një pushues nga Maqedonia e Veriut ka ndërruar jetë pasi u fut në det për t’u larë.

Sipas informacioneve paraprake të siguruara nga policia, rreth orës 19:00, shtetasi Sh. A., 66 vjeç, me banim në Maqedoni, dyshohet se ka pësuar arrest kardiak pak momente pasi hyri në ujë. Edhe pse ndihma është kërkuar menjëherë nga të pranishmit, për fat të keq ai ka ndërruar jetë para se të mbërrinte ndihma mjekësore.

Pushuesit në zonë janë tronditur nga ngjarja, ndërsa dëshmitarë okularë kanë raportuar se burri nuk kishte shfaqur shqetësime në fillim dhe gjithçka ka ndodhur papritur. Viktima ishte duke pushuar në Durrës prej disa ditësh, i shoqëruar nga familjarë.

Aktualisht, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të dokumentuar me saktësi shkaqet e vdekjes. Trupi i pajetë pritet t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të konfirmuar diagnozën e dyshuar.

Kjo ngjarje shton edhe një tjetër rast të vdekjeve aksidentale në brigjet shqiptare këtë verë, duke ngritur sërish shqetësimin për kujdesin ndaj shëndetit gjatë qëndrimeve në plazh, veçanërisht për personat e moshës së tretë apo ata me histori të sëmundjeve kardiovaskulare.

ME TE LEXUARAT