Hezbollah lëshon gjatë natës mbi 100 raketa në Izrael

Grupi Hezbollah i Libanit – i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – lëshoi mbi 100 raketa në orët e hershme të mëngjesit së 22 shtatorit drejt një zone më të gjerë dhe më thellë brenda Izraelit verior. Disa prej raketave ranë pranë qytetit Haifa, ndërsa palët duket se po shkojnë drejt një lufte në shkallë të plotë pas muajsh tensionesh të përshkallëzuara.
Breshëria e raketave gjatë natës shkaktoi sirena alarmi në të gjithë veriun e Izraelit, duke i detyruar mijëra njerëz të futen në strehimore. Ushtria izraelite tha se raketat ishin lëshuar “drejt zonave civile”, duke sinjalizuar një përshkallëzim të mundshëm, pasi më parë raketat ishin përqendruar kryesisht në objektiva ushtarake.
Shërbimi i shpëtimit “Magen David Adom” i Izraelit tha se trajtoi katër persona për plagë nga predhat, përfshirë një burrë 76-vjeçar që u plagos në Kiryat Bialik, një vendbanim pranë Haifës, ku ndërtesat u dëmtuan dhe makinat u dogjën.
Ky sulm me raketa erdhi pas një sulmi ajror izraelit në Beirut më 20 shtator, që vrau të paktën 37 persona, përfshirë një nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut, si dhe gra dhe fëmijë. Hezbollahu ishte ende duke u përballur me një sulm të sofistikuar që shkaktoi shpërthimin e mijëra pajisjeve personale vetëm disa ditë më parë.
Ushtria izraelite tha se kishte kryer një valë sulmesh në jug të Libanit gjatë 24 orëve të fundit, duke goditur rreth 400 objektiva militantësh, përfshirë lëshues raketash. Zëdhënësi ushtarak izraelit, nënkolonel Nadav Shoshani, tha se këto sulme kishin parandaluar një sulm edhe më të madh.