Helmimi i 140 personave në Fushë-Arrëz, publikohet raporti, çfarë u gjet në sistemin e ujit të pijshëm

Aktualitet

Helmimi i 140 personave në Fushë-Arrëz, publikohet raporti,
Instituti i Shëndetit Publik ka nxjerrë raportin në lidhje me helmimin e rreth 140 personave pak ditë më parë në Fushë-Arrëz, të cilët u paraqitën në qendrën shëndetësore me simptoma gastrointestinale.

Sipas raportit, gjatë periudhës 24 gusht–3 shtator 2026, në Qendrën Shëndetësore Fushë-Arrëz janë paraqitur 139 persona me shenja gastrointestinale. 128 prej tyre, ose 91.7% e rasteve, janë banorë të Fushë-Arrëzit, ndërsa pjesa më e madhe e rasteve është përqendruar në lagjet “Demokracia” dhe “Nushaj”.

Të gjithë personat e prekur kanë shfaqur diarre, ndërsa 128 prej tyre kanë raportuar të vjella dhe 81 kanë pasur temperaturë. Grupmoshat e të prekurve variojnë nga 2 deri në 94 vjeç.

Në kuadër të hetimit epidemiologjik, ISHP ka analizuar edhe sistemin e furnizimit me ujë, pasi banorët e prekur kanë deklaruar se konsumojnë ujë nga rrjeti publik dhe furnizohen nga i njëjti sistem.

Analizat laboratorike kanë konstatuar ndotje mikrobiologjike në disa pika të sistemit të furnizimit me ujë. Në Depon nr. 1 janë gjetur koliforme, E. coli dhe enterokokë, ndërsa në një pikë fundore pranë ish-Parkut janë evidentuar koliforme, E. coli, enterokokë dhe Pseudomonas aeruginosa.

Probleme janë konstatuar edhe me procesin e dezinfektimit të ujit. Sipas raportit, analiza e hipokloritit të natriumit ka treguar se klori aktiv ishte 9.04%, ndërsa kufiri i përcaktuar është 13–15%. Për pasojë, lënda e përdorur nuk përmbush kërkesat për procesin e klorinimit dhe dezinfektimit të ujit të pijshëm.

Ndërkohë, mostrat klinike të marra nga personat e prekur kanë rezultuar negative. Nga 17 mostrat e analizuara nuk janë evidentuar patogjenë bakterialë dhe viralë, përfshirë Norovirusin, Rotavirusin, Adenovirusin, Astrovirusin dhe Sapovirusin.

ISHP vlerëson se përqendrimi i rasteve në zonën e furnizuar nga i njëjti sistem ujësjellësi, prekja e grupmoshave të ndryshme dhe ndotja mikrobiologjike e konstatuar në ujë janë tregues për një burim të përbashkët ekspozimi të lidhur me sistemin e furnizimit me ujë.

ME TE LEXUARAT