IKMT "me dorë të hekurt", gjobit dhe pezullon aktivitetin e një subjekti, zbulohen "gjëmat" që bëri

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka gjobitur dhe ka pezulluar aktivitetin për subjektin “Polyeco Albania” Sh.p.k., pas konstatimit të shkeljeve në administrimin, klasifikimin dhe transferimin e mbetjeve.
Subjekti ishte paralajmëruar më herët sipas ligjit të inspektimit ndërsa nga gjurmimi i rrugës së mbetjeve u konstatua se kishte kryer shkeljet ligjore.
Në vijim të gjurmimit, gjatë kontrollit të ushtruar nga Drejtoria e Inspektimit të Mjedisit dhe Ujërave pranë IKMT, u evidentuan shkelje të rënda ligjore që lidhen me mospërputhjen e klasifikimit të mbetjeve, dokumentacionit të transferimit dhe veprimtarisë së ushtruar jashtë kushteve të lejes/autorizimit përkatëse.
Subjekti ka regjistruar material të deklaruar si “karbon aktiv” që i përket absorbentëve dhe materialeve me substanca të rrezikshme, por verifikimi i natyrës dhe origjinës tregoi se ky kod nuk i përgjigjej karakteristikave reale të mbetjes.
U konstatuan mospërputhje ndërmjet kodeve të mbetjeve të regjistruara/transferuara nga subjekti dhe listës së kodeve të përcaktuara në kontratën e paraqitur me subjektin pritës.
Gjithashtu, subjekti ka pranuar dhe administruar mbetje të cilat nuk përfshihen në lejen/autorizimin e tij të veprimtarisë.
Në mbështetje të Ligjit Nr. 57/2025 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” dhe Ligjit Nr. 99/2024 “Për inspektimin në RSH”, IKMT mori masë administrative me gjobë dhe pezullim aktiviteti të menaxhimit të mbetjeve deri në eleminimin e shkeljeve të konstatuara dhe garantimin e përputhshmërisë së plotë me lejen përkatëse.


