Gërryenin shtratin e lumit Devoll jashtë lejes, arrestohen 3 persona dhe shpallet në kërkim administratori

Tre persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim pas zbulimit të një aktiviteti të dyshuar të paligjshëm në lumin Devoll.
Policia e Cërrikut, pas kontrolleve dhe verifikimeve për raste që cenojnë mjedisin dhe regjimin juridik të tokës, ka goditur një subjekt që dyshohet se kryente gërryerje të shtratit të lumit jashtë kushteve të lejuara.
Në pranga kanë rënë L. X., 35 vjeç, L. B., 42 vjeç, shtetas indian, dhe B. T., 46 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim administratori i subjektit, K. H., 22 vjeç.
Njoftimi
Arrestohen 2 punonjës në subjektin për llogari të të cilit kryhej gërryerja e shtratit të lumit.
Shpallet në kërkim një 22-vjeçar, administrator i subjektit.
Në pranga dhe 1 shtetas (i afërm i 22-vjeçarit) që kishte ndërtuar pa leje në afërsi të vendndodhjes së subjektit.
Sekuestrohen 1 ekskavator dhe 1 kamion teknologjik, që përdoreshin për kryerjen e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Në vijim të kontrolleve dhe verifikimeve, si dhe administrimit të shqetësimeve të qytetarëve, për subjekte që dyshohet se kryejnë krime kundër mjedisit dhe/ose cenojnë regjimin juridik të tokës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik goditën një rast në këtë fushë, me pasoja në lumin Devoll. Për rastin:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit L. X., 35 vjeç, banues në Cërrik, L. B., 42 vjeç (shtetas indian), banues në Cërrik dhe B. T., 46 vjeç, banues në fshatin Shalës;
-u shpall në kërkim shtetasi shtetasi K. H., 22 vjeç.
Nga veprimet hetimore rezultoi se për llogari të subjektit që administronte 22-vjeçari dhe kishte të punësuar shtetasit L. X. dhe L. B., gërryhej me mjete të rënda, shtrati i lumit Devoll, veprimtari nga e cila ishte devijuar rrjedha e lumit dhe rrezikohej përmbytja e tokave bujqësore në fshatin Gostimë.
Gjithashtu, nga këto veprime rezultoi se subjekti e kryente gërryerjen jashtë koordinatave të përcaktuara në lejen që kishte për këtë veprimtari.
Përveç ndëshkimit penal për shtetasit përgjegjës, subjekti u ndëshkua dhe administrativisht nga strukturat kompetente të IKMT, Tiranë, dhe IMT, Cërrik.
Nga verifikimet e mëtejshme, rezultoi se 46-vjeçari kishte ndërtuar pa leje, në afërsi të zonës ku ndodhej subjekti që administronte i afërmi i tij, shtetasi K. H..
Punohet intensivisht për kapjen e 22-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.


