FOTO/ Ja kush është Nikolla Agolli, autori i dyshuar i plagosjes me armë të Brian Syzos në Pogradec

Personi që shihni në foto është Nikolla Agolli, autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të Brian Syzos, mesditën e sotme në Pogradec. Policia e arrestoi teksa tentonte të arratisej me një furgon drejt Prrenjasit, pak pasi braktisi makinën e tij në Qafë-Thanë. Bashkë me të u kap edhe një person i dytë që e shoqëronte.
Syzo, me precedentë penalë, u qëllua me armë në këmbë në lagjen nr. 3 në Pogradec dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Shkak i ngjarjes dyshohet të jetë hakmarrja, pasi vëllai i Syzos dyshohet se ka plagosur Nikollën vitin e kaluar. Policia aktualisht po kërkon për armën e krimit të përdorur nga Agolli, që dyshohet se e ka hedhur në liqenin e Pogradecit. Nikolla Agolli u plagos vitin e kaluar nga Sindi Syzo, vëllai i Brianit, në një berberhane. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 1 të Pogradecit, në janar të 2025.
Njoftimi i Policisë:
Plagosi me armë zjarri një 35-vjeçar në Pogradec dhe u largua, kapet në Përrenjas pas disa minutash ndjekjeje nga Policia.
Rreth orës 13:15, në lagjen nr. 3, dyshohet se, gjatë një konflikti, shtetasi N. A., 24 vjeç, banues në Buçimas, Pogradec, ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasin B. S., rreth 35 vjeç, i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë së Pogradecit, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Përrenjas, kapën dhe po shoqërojnë në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, autorin e dyshuar të ngjarjes. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të konfliktit dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.