Çfarë po ndodh? Izraeli bastis dhe mbyll zyrën e Al Jazeeras në Bregun Perëndimor

Aktualitet

Çfarë po ndodh? Izraeli bastis dhe mbyll zyrën e Al Jazeeras

Trupat izraelite bastisën zyrat e kanalit Al Jazeera në Ramallah në Bregun Perëndimor të okupuar nga Izraeli në orët e hershme të mëngjesit së 22 shtatorit, duke urdhëruar mbylljen e zyrës. Ky është veprimi i fundit në një fushatë të zgjeruar nga Izraeli kundër transmetuesit të financuar nga Katari, ndërsa ky i fundit raporton për luftën Izrael-Hamas në Rripin e Gazës.

Në kanalin e saj në gjuhën arabe, Al Jazeera transmetoi pamje të drejtpërdrejta përderisa trupat izraelite urdhëruan mbylljen e zyrës për 45 ditë. Kjo vjen pas një urdhri të lëshuar në maj, kur policia izraelite bastisi vendin e transmetimit të Al Jazeeras në Jeruzalemin Lindor, duke konfiskuar pajisjet dhe ndaluar transmetimet në Izrael, si dhe duke bllokuar faqet e saj të internetit.

Kjo ishte hera e parë që Izraeli mbylli një media të huaj që operonte në vend. Megjithatë, Al Jazeera vazhdoi të operojë në Bregun Perëndimor të okupuar nga Izraeli dhe në Rripin e Gazës, territore që palestinezët shpresojnë t’i kenë në shtetin e tyre të ardhshëm.

Ushtria izraelite nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga Associated Press. Al Jazeera e dënoi këtë veprim, ndërsa vazhdoi transmetimet e drejtpërdrejta nga Ammani, në Jordaninë fqinje.

Trupa izraelite të armatosura hynë në zyrë dhe i thanë një gazetari, live në transmetim, se zyra do të mbyllej, duke thënë se stafi duhej të largohej menjëherë. Më vonë, rrjeti transmetoi pamje të trupave izraelite që shkatërronin një pankartë në ballkonin nga zyra e Al Jazeeras. Sipas Al Jazeeras, pankarta përmbante një imazh të Shireen Abu Akleh, një gazetare palestinezo-amerikane e vrarë nga forcat izraelite në maj 2022.

“Ka një vendim gjykate për mbylljen e Al Jazeera për 45 ditë”, i tha një ushtar izraelit shefit të zyrës lokale të Al Jazeeras, Walid al-Omari, në transmetimin live. “Ju kërkoj të merrni të gjitha kamerat dhe të largoheni nga zyra në këtë moment”.

Al-Omari më vonë tha se trupat izraelite filluan të konfiskonin dokumente dhe pajisje në zyrë, ndërsa gazi lotsjellës dhe të shtënat mund të shiheshin dhe dëgjoheshin në atë zonë.

ME TE LEXUARAT