Europol me alarmin e ri: Rriten grabitjet e arit, hajdutët po rekrutohen në internet

Grabitësit muzeve të artit po ndryshojnë objektiv.
Dy vitet të fundit grupet kriminale janë përqendruar gjithnjë e më shumë te ari, bizhuteritë dhe artefaktet me vlerë të lartë, pasi mund të shiten ose përpunohen më lehtë në tregun e paligjshëm, sipas Europol.
Një nga rastet më të bujshme ishte grabitja në Muzeun e Luvrit në Paris, në tetor të vitit të kaluar.
Autorët kërcënuan rojet dhe vizitorët dhe morën bizhuteri me vlerë rreth 88 milionë euro, mes tyre edhe diademën e Perandoreshës Eugénie.
Për Europol, raste të tilla tregojnë edhe një rritje të përdorimit të dhunës gjatë grabitjeve.
Ndryshim ka edhe te mënyra e organizimit të autorëve.
Bandat e strukturuara po zëvendësohen gjithnjë e më shumë nga grupe të përkohshme oportunistësh, të rekrutuar edhe përmes rrjeteve sociale.
Ata përdorin mjete të rënda dhe, në raste të caktuara, edhe eksplozivë për të hyrë në muze apo për të thyer vitrinat.
Ari mbetet një nga objektivat më të lakmuar, jo vetëm për shkak të vlerës së lartë, por edhe sepse mund të shkrihet dhe të humbasë gjurmët e origjinës.
Në Holandë, për shembull, hajdutët përdorën eksplozivë për të grabitur një përkrenare të artë dake, rreth 2 mijë e 500-vjeçare, si dhe tre byzylykë ari. Artefaktet u rikthyen më vonë në Rumani, ndërsa një prej byzylykëve vijon të jetë i zhdukur.
Europol evidenton gjithashtu një rritje të vjedhjeve të objekteve të lashta kineze, veçanërisht porcelanit të periudhës së Dinastisë Ming.


