E tradhtuan udhëtimet e gruas/ Si e lokalizoi Italia Kol Bushpepën në Tiranë pas 4 vitesh arrati

Pas katër vitesh në arrati, një nga emrat e njohur të trafikut të kokainës në Itali ka rënë në prangat e policisë në Tiranë.
Kol Bushpepa, i konsideruar nga hetuesit italianë si figurë kyçe në trafikun e drogës në zonën e Venecias, u lokalizua pas një hetimi të gjatë ku vendimtare u bënë lëvizjet e bashkëshortes së tij drejt Shqipërisë.
Sipas mediave italiane, oficerët e Skuadrës Mobile të Venecias ndoqën për vite me radhë gjurmët e familjarëve të Bushpepës dhe zbuluan se ai fshihej në kryeqytetin shqiptar.
Pas konfirmimit të vendndodhjes së tij, autoritetet italiane kërkuan bashkëpunimin e policisë shqiptare, e cila bëri të mundur arrestimin e tij në Tiranë.
Bushpepa ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol pasi ishte arratisur menjëherë pas dënimit të formës së prerë në vitin 2022 me mbi 5 vite burg për organizatë kriminale dhe trafik droge.
Hetuesit thonë se ai ishte aktiv në trafikun e narkotikëve që prej vitit 2009 dhe në vitet e fundit kishte rol drejtues në shpërndarjen e kokainës në zonën e Venecias.
Gjatë një kontrolli në banesën e tij në Mestre, policia kishte gjetur edhe 70 mijë euro cash, ndërsa dyshohet se paratë e trafikut investoheshin në aktivitete biznesi.


