Brukseli letër për Sazanin dhe Zvërnecin/ Komisionerja Marta Kos kërkon anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura

Aktualitet

Brukseli letër për Sazanin dhe Zvërnecin/ Komisionerja Marta Kos
Në përgjigje të 11 eurodeputetëve të krahut të majtë, Komisioni Europian thotë se Shqipëria duhet të shfuqizojë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura dhe të përfundojë ligjin e vitit 2015 për investimet strategjike.

Eurodeputetët Emma Fourreau, Marc Botenga, Danilo Della Valle, Sebastian Everding, Hanna Gedin, Anja Hazekamp, ​​​​Marina Mesure, Arash Saeidi, Ilaria Salis, Jonas Sjöstedt dhe Anthony Smith i kërkuan Komisionit Evropian të komentonte mbi projektet turistike në Sazan dhe në zonën e mbrojtur Vjosa-Nartë, të cilat ata thonë se financohen nga fondi i investimeve i Jared Kushner.

“Si e vlerëson Komisioni përputhshmërinë e investimeve në pasuri të paluajtshme të lidhura me familjen e një kreu shteti jashtë BE-së me standardet e transparencës dhe qeverisjes së mirë që priten nga vendet që synojnë anëtarësimin në BE?” ishte një nga pyetjet që iu drejtuan Komisionit Evropian nga eurodeputetët e krahut të majtë.

Në përgjigjen e saj, Marta Kos nuk jep një vlerësim specifik të investimeve që lidhen me familjen Trump, por thekson se investimet e huaja mund të sjellin përfitime, me kusht që të jenë transparente dhe në përputhje me rregullat kombëtare dhe të BE-së.

Përgjigja e Komisionerit Kos përforcon edhe një herë qëndrimin se Shqipëria duhet të përmbushë kriteret për mbylljen e Kapitullit 27, kapitullin e mjedisit, duke shfuqizuar ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura në vitin 2024 dhe ligjin për investimet strategjike.

“Kushtet për mbylljen e kapitullit kërkojnë në mënyrë të qartë që Shqipëria të përputhet me acquis të BE-së për mbrojtjen e natyrës, duke përfshirë shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme të futura përmes ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe përfundimin e legjislacionit të vitit 2015 për investimet strategjike”, thuhet në përgjigjen drejtuar eurodeputetëve.

Sipas Komisionit Evropian, Shqipëria duhet të përafrojë legjislacionin e saj me acquis mjedisor të BE-së, duke përfshirë Direktivën e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor, Direktivën e Vlerësimit Strategjik Mjedisor, Direktivën e Shpendëve dhe Direktivën e Habitateve.

"Shqipëria duhet të demonstrojë kapacitet të mjaftueshëm për menaxhimin e zonave të ardhshme Natura 2000 dhe të sigurojë masa efektive për ruajtjen e tyre, duke parandaluar përkeqësimin e habitateve dhe statusin e specieve", thuhet më tej në përgjigjen e dhënë nga Komisionerja Marta Kos.

Në një pyetje drejtuar Komisionit, eurodeputetët ngritën shqetësime se zhvillimet turistike mund të rrezikojnë ekosistemet bregdetare dhe detare, biodiversitetin dhe habitatet e specieve të kërcënuara.

Ata gjithashtu theksuan se Sazani ndodhet brenda Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, i cili është përcaktuar si një Zonë e Mbrojtur Veçanërisht e Rëndësishme për Mesdheun (SPAMI).

Në përgjigje, Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Komisioni Evropian po e ndjek nga afër projektin në zonën Pishë Poro-Nartë.

“Ky projekt, si të gjitha projektet në zhvillim e sipër në Shqipëri, do të duhet të përmbushë kushtet e përcaktuara në Kapitullin 27” , thuhet më tej në përgjigjen drejtuar eurodeputetëve.

Sipas Kos, qeveria shqiptare e ka siguruar Komisionin se do të kryhet një Vlerësim i Plotë i Ndikimit Mjedisor dhe se do të respektohen standardet evropiane mjedisore, si dhe se Komisioni i ka inkurajuar autoritetet shqiptare të vazhdojnë të ndërmarrin hapa në mbështetje të përmbushjes së kushteve për mbylljen e kapitullit dhe avancimin në rrugën e tyre drejt BE-së.

“Komisioni do të monitorojë nga afër përmbushjen e këtyre kushteve”, përfundon përgjigja e Komisionit Evropian.

Në letrën e tyre, 11 eurodeputetët nga grupi i majtë e lidhën zhvillimin e projekteve turistike në Sazan dhe Vjosë-Nartë me një debat më të gjerë mbi mbrojtjen e burimeve natyrore të Shqipërisë.

Ata argumentuan se demonstratat kundër projekteve pasqyrojnë shqetësimet se territori i Shqipërisë po zhvillohet në favor të interesave private të investitorëve shumë të pasur.

Sipas tyre, projektet e hoteleve paraqesin rrezik për ekosistemet bregdetare dhe detare, biodiversitetin dhe habitatet e specieve të kërcënuara./Citizens.al

ME TE LEXUARAT