Bilanc i frikshëm nga aksidentet në Shqipëri/ 13 të plagosur e dy humbje jete në mëngjesin e së hënës

Aktualitet

Bilanc i frikshëm nga aksidentet në Shqipëri/ 13 të plagosur
Rrugët e vendit janë përgjakur të hënën e 7 shtatorit. Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa 13 të tjerë janë plagosur si pasojë e tre aksidenteve të ndodhura në një hark të shkurtër kohor.

Rreth orës 07:15 të mëngjesit të sotëm, dy automjete tip “Audi” dhe Benz” u përplasën në autostradën Levan-Tepelenë, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Levanit”.

Si pasojë 55-vjeçari Dashmir Beca humbi jetën, ndërsa katër persona, tre pasagjerë të makinës “Audi” dhe shoferi i “Benzit” përfunduan në spital.

Shkak i aksidentit dyshohet se ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara.

Rreth orës 05:20 në autostradën Tiranë-Durrës u përfshinë në aksident 5 automjete.

Sipas policisë, shtetasi Hysen Balla, 45 vjeç u përplas me një kamion dhe si pasojë e përplasjes humbi jetën në vendin e ngjarjes.

Më pas, në aksident u përfshinë edhe tre mjete të tjera, me drejtues shtetasit G. L., 59 vjeç dhe J. I., 34 vjeç, si dhe 5 pasagjerë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Rreth orës 10:15 një tjetër aksident u regjistrua në aksin Pogradec-Korçë, në segmentin e Qafë Plloçës, ku dy automjete u përplasën me njëra-tjetrën. Si pasojë dy shtetase mbetën të lënduara.

Fatmirësisht, ato ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

 

ME TE LEXUARAT