Bashkim Ulaj po ndërton resortin në tokat e tyre, Gjykata e Apelit njeh si pronare familjen Malaj

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka dhënë sot një vendim me rëndësi për çështjen e pronave në zonën turistike të Rrjollit, ku prej kohësh banorët protestojnë për ndërtimin e resortit “Blue Borgo” të Bashkim Ulajt.

Me vendimin e shpallur këtë të hënë, trupi gjykues i kryesuar nga Valbona Vata, me anëtarë Fuat Vjerdha dhe Sokol Pina, vendosi pranimin pjesërisht të padisë së Nikollë Malajt kundër Agjencisë së Trajtimit të Pronave, padi e cila ishte bërë që në vitin 2018, betejë për 8 vite me radhë.
Gjykata vendosi anulimin e plotë të vendimit nr. 969 të ATP-së, të datës 03 korrik 2018, duke i dhënë të drejtë trashëgimtarëve të ish-pronarit Gjokë Dodë Preka (Malaj).
Sipas dispozitivit të zbardhur nga Report TV, familjes Malaj i njihet e drejta e pronësisë mbi një sipërfaqe prej 20,700 m², rreth 2.1 hektarë, në fshatin Rrjoll, ose thënë ndryshe rreth 10 % të të gjithë sipërfaqes që Bashkim Ulaj po kryen ndërtim në Rrjoll.
Gjykata po ashtu ka urdhëruar që trashëgimtarët të kompensohen me përparësi brenda pronës së tyre të njohur. Ky vendim përbën tashmë një titull ekzekutiv për shërbimin përmbarimor. Megjithatë, ligji parashikon që palët kanë të drejtë të ushtrojnë rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 30 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.
Më herët gjatë protestave, njëri prej anëtarëve të familjes Malaj, Nikoll Malaj thoshte mes lotësh se tokën dhe banesën ia ka lënë babai.
“Kthim prapa nuk ka. Në 1908 më ka lind baba, e kam shtëpinë sot e 118 vjet. Kemi kontaktuar, s’na ka dhënë kurrëfarë përgjigje”, tha atëherë mes lotësh banori Nikoll Malaj./Shqiptarja


