Arrestohet pronari i hotelit në Tiranë/ Strehoi 7 emigrantë nga Sudani për t’i dërguar drejt BE-së

Një 66-vjeçar, pronar i një hoteli në Vaqarr të Tiranës, është arrestuar nga Policia në kuadër të operacionit “Stafeta”.
66-vjeçari dyshohet se kishte strehuar 7 emigrantë nga Sudani dhe u kishte siguruar transportin për t’i dërguar drejt kufirit me qëllim kalimin e paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Në kuadër të operacionit u sekuestruan edhe dy automjete taksi, armë gjahu, municion dhe 7 celularë.
“Shërbimet e Seksionit të Hetimit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Stafeta”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”, shtetasi P. S., 66 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se në hotelin në pronësi të tij, në Vaqarr, Tiranë, ky shtetas kishte strehuar disa shtetas të huaj, të cilëve iu kishte siguruar mjete transporti (taksi) dhe i kishte nisur në drejtim të Koplikut, me qëllim kalimin e kundërligjshëm të kufirit, me destinacion shtete të BE-së.
Shërbimet e Policisë Kufitare Tiranë janë vënë në ndjekje të 2 automjeteve (taksi), dhe kanë koordinuar punën dhe bashkëpunuar me shërbimet e Policisë Kufitare Shkodër.
Si rezultat, janë ndaluar te dyja automjetet në të cilat udhëtonin 7 shtetas nga Sudani, të cilët u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Gjithashtu, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për taksistin, shtetasin P. Gj., për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale, dy armë gjahu, njëra prej të cilave dyshohet se mbahej pa leje, fishekë të armës së gjahut, 7 celularë, 2 automjete (taksi) dhe libri i regjistrimit të klientëve të hotelit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.


