“Mund të ikja edhe në Dubai”, Apeli francez rrëzon ankimimin, lë në qeli Ermal Beqirin

Aktualitet

“Mund të ikja edhe në Dubai”, Apeli francez rrëzon

Gjykata e Apelit në Amiens të Francës ka vendosur që Ermal Beqiri, një nga figurat kyçe në dosjen e SPAK-ut për tenderat e AKSHI-t, të qëndrojë në qeli, ndërsa procedura për kërkesën e ekstradimit drejt Shqipërisë vijon.

Sipas mediave të huaja, Beqiri kishte kërkuar lirimin, me argumentin se po mbahet padrejtësisht në paraburgim, por kjo kërkesë e tij është rrëzuar nga gjykata.

Prokuroria nga ana tjetër kundërshtoi lirimin e biznesmenit, me arsyetimin se burimet e tij dhe licenca e pilotit do t'i lejonin atij t'i shmangej shpejt autoriteteve.

Ndërsa vetë Beqiri, gjatë fjalës së tij në seancë tha se ka shkuar në Francë që në moshën 16-vjeçare. Beqiri me ironi shtoi se mund të ishte fshehur kudo, madje edhe në Dubai, por tha se zgjodhi Francën, për shkak të lidhjeve të tij me këtë vend.

“Arrita në Francë në moshën 16 vjeç, kam familjen time të dytë këtu. Po, lëviz shumë, në Turqi, Slloveni, Francë… Mund të kisha shkuar kudo, madje edhe në Dubai, por e dua Francën. Edhe nëse nuk zgjodha vendin më të mirë për t’u fshehur, as më të mirin për taksat…”, tha Beqiri gjatë fjalës së tij në seancë.

Përballë autoriteteve franceze, më 27 korrik, Beqiri ka deklaruar se kishte gabuar me lartësinë e fluturimit dhe se në momentin kur kaloi mbi central ishte duke folur në telefon me nënën e tij.

Në kuadër të procedurës së pranimit të fajësisë, ai u dënua me një gjobë prej 7 mijë eurosh, një shumë që për këtë person, të përshkruar si milioner, konsiderohet më shumë një episod i parëndësishëm. Por çështja nuk përfundoi këtu.

Edhe pse pritej që të lirohej pas përfundimit të kësaj procedure, Beqiri vijon të qëndrojë në burgun e Beauvais, pasi autoritetet shqiptare i kanë dërguar Francës një kërkesë për ekstradimin e tij.

Biznesmeni shqiptar është shpallur në kërkim në Shqipëri për disa akuza që lidhen me mashtrim dhe grup të strukturuar kriminal, në kuadër të dosjes 'AKSHI'.

Sipas autoriteteve shqiptare, ai dyshohet se ka pasur rol në një skandal të gjerë korrupsioni të lidhur me tendera të manipuluar, me vlera që arrijnë në miliona euro, thuhet në artikullin e mediave franceze.

ME TE LEXUARAT