Aktivitstët largohen njëri pas tjetrit nga partia e Endrit Shabanit, Klajdi Phalla: Idealistët janë larguar nga “Nisma”!

Një tjetër anëtar i “Nisma Thurje” është larguar nga partia e Endrit Shabanit. Pas Pano Sokos dhe Rigerta Loku Tushaj, Klajdi Phalla ka hequr dorë nga angazhimi i tij politik në këtë parti.
Shkak për largimet e një pas njëshme në partinë e Shabanit është konflikti që ky i fundit ka zhvilluar përgjatë ditëve të fundit me Adriatik Lapajn për 1 mandat të fituar në qarkun e Tiranës nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”.
Pas 5 vitesh angazhimi në këtë parti, Klajdi Phalla tregon se nuk është ndjerë prej kohësh pjesë e vendimarrjeve dhe se ndihet i zhgënjyer nga ngjarjet e fundit.
Reagimi i plotë i Klajdi Phallës:
Një mik i mençur më pati thënë dikur: “Për të njëjtën arsye pse hyn në një parti, për të njëjtën edhe del prej saj.”
Në vitin 2021, kur u angazhova për herë të parë me Nismën Thurje, e njihja pak, por hyra me idealizëm, sepse besoja në pastërtinë e të rinjve që donin të ndryshonin sistemin. E përfaqësova në tri palë zgjedhje, duke rritur rezultatin dhe duke u pjekur politikisht, pa humbur idealizmin dhe pastërtinë.
Tani ka ardhur momenti të shkëputem nga kjo lëvizje, sepse ngjarjet e zgjedhjeve të fundit treguan se ky idealizëm është humbur në këtë parti, ose në rastin më të mirë është vënë në hije nga egoja personale apo papjekuria politike. Mbase një ditë do të ndodhë një reflektim i thellë dhe i sinqertë nga dy drejtuesit e koalicionit, por për momentin, unë nuk mund ta përfaqësoj më Nismën Thurje.
Megjithatë, nuk pendohem për këto pesë vite angazhim. Së pari, sepse më kanë bërë të njoh të rinj të tjerë idealistë, që fatkeqësisht, njëri pas tjetrit, janë larguar nga Nisma. Së dyti, gjatë gjithë kohës nuk jam ndjerë i përfshirë në vendimmarrjen e partisë, ndaj kam qenë gjithmonë më afër qytetarëve të Korçës sesa vetë partisë. Dhe jam i sigurt që të gjithë ata që më kanë votëbesuar, ia kanë dhënë besimin Klajdit, jo partisë.
Angazhimi im politik do të vazhdojë, ashtu si në dy vitet e fundit në Këshillin Bashkiak, për të qenë zëri i qytetarëve korçarë – tashmë dhe zyrtarisht si i pavarur, ashtu siç jam ndjerë gjithmonë.
Dhe, pavarësisht gjithçkaje, unë mbetem pozitiv, duke besuar se të rinj idealistë dhe me karakter nuk do t’i mungojnë kurrë Shqipërisë, madje as politikës. Ndërkohë, le të vazhdojmë të forcojmë zërin qytetar.


