Aksidenti me vdekje në Vlorë: Punëtorët mbetën të bllokuar në furgon, shoferi humbi kontrollin e mjetit

Aktualitet

Aksidenti me vdekje në Vlorë: Punëtorët mbetën të

Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti i rëndë i regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Dukat–Orikum, në zonën e Fushë-Dukatit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 06:10, ku një furgon që transportonte punëtorë, të cilët dyshohet se ishin nisur nga Tirana drejt bregdetit, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor.

Sipas dyshimeve paraprake, shkak i aksidentit mund të ketë qenë përgjumja e drejtuesit të mjetit ose një problem shëndetësor i papritur, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes.

Si pasojë e përplasjes, një person humbi jetën, ndërsa pesë të tjerë mbetën të plagosur. Për shkak të deformimit të madh të furgonit, ekipet zjarrfikëse ndërhynë për nxjerrjen e të bllokuarve, duke prerë pjesë të sediljeve dhe të llamarinave të mjetit.

Të plagosurit u transportuan me ambulanca drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore. Viktima është identifikuar si Ilir Haka, 52 vjeç, ndërsa të plagosur kanë mbetur Saimir Haka, 22 vjeç, Qazim Haka, 44 vjeç dhe Sako Rexha, rreth 22 vjeç, si dhe dy persona të tjerë.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po kryejnë ekspertizën dhe veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

Vlorë/ Informacion paraprak

Rreth orës 06:10, në aksin rrugor Vlorë–Llogora, në vendin e quajtur “Fushë Dukat”, një automjet tip furgon, me drejtues shtetasin S. R., 22 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe ka dalë nga rruga.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje njëri prej pasagjerëve, shtetasi I. H., 52 vjeç.

Drejtuesi i mjetit dhe tre pasagjerët e tjerë janë transportuar në spital, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.

ME TE LEXUARAT