48 shezlongë dhe çadra pa leje në plazh, policia nuk kursen 47-vjeçarin nga Saranda

Një 47-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Sarandë, pasi dyshohet se po kryente punime për ndërtimin e paligjshëm të një objekti në zonën e plazhit “Shqiponja”, në lagjen nr. 4.
Sipas Policisë, gjatë kontrolleve dhe verifikimeve të përditshme në terren, shërbimet konstatuan një sipërfaqe toke të sheshuar dhe të mbuluar me materiale ndërtimore pranë plazhit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se toka po përgatitej për ndërtimin e një objekti me qëllim përfitimi. Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin A. R., 47 vjeç, banues në Tiranë.
Në kuadër të ndërhyrjes, shërbimet e Policisë kanë hequr dhe sekuestruar 48 shezlongë dhe çadra, të vendosura në hapësirën e plazhit që dyshohet se administrohej nga 47-vjeçari pa lejen përkatëse.
Ndërkohë, për rastin ka pasur pasoja edhe për strukturat përgjegjëse të Policisë.
Specialisti i Policimit në Zonë (SPZ), A. N., është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka nisur procedimi disiplinor për shkelje të rëndë, pasi dyshohet se nuk kishte konstatuar paligjshmërinë në territorin që mbulonte.
Policia njofton se kontrollet dhe verifikimet në territor do të vijojnë me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërisë, veçanërisht të veprave që cenojnë mjedisin dhe hapësirat publike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


