Energji në tarracën tënde: Skema e mbështetjes për familjarët, hapat dhe kushtet, nga aplikimi tek instalimi

Teknologji

Energji në tarracën tënde: Skema e mbështetjes për

Qeveria njoftoi në fillim të këtij muaji se kishte përzgjedhur shtatë kompani, që do të përfshihen në programin e saj për rritjen e eficiencës së energjisë te konsumatorët familjarë. Bëhet fjalë për mbështetjen e 2 mijë familjeve të para, për të instaluar panele diellore për ngrohjen e ujit.

Nisma synon rritjen e kursimit të energjisë në kushtet e krizës. Kompanitë u bënë publike në faqen e Agjencisë për Eficiencën e Energjisë, duke nënvizuar se konsumatorët familjarë që do të aplikojnë për përfitim mase mbështetëse, do të mund të marrin shërbimin vetëm prej këtyre subjekteve

“Zgjedhja për konsumatorët familjarë do të jetë e lirë, duke pasur parasysh që qytetet ku ata kërkojnë të përfitojnë masën mbështetëse të korrespondojnë me qytetet ku subjektet tregtare kanë deklaruar se marrin përsipër ofrimin e shërbimit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Konsumatorët familjarë, të cilët do të zgjedhin një subjekt tjetër që nuk bën pjesë te lista, nuk do të bëhen pjesë e skemës për nxitjen e përdorimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit nga konsumatorët familjarë, e cila synon subvencionimin deri në masën 70% të kostos nga Agjencia për Eficiencën e Energjisë”, – nënvizoi AEE.

Subjektet e përzgjedhura janë AL-NOBEL sh.p.k., me çmim pa TVSH 139 mijë lekë. Kompania tjetër e klasifikuar është ARBEMA sh.p.k., duke ofruar disa opsione që nisin nga 120 mijë lekë pa TVSH deri në 139 mijë lekë pa TVSH në varësi të modelit të përzgjedhur.

Kompania e tretë EUROKLIMA sh.p.k., me çmimin e ofruar 122.27 mijë lekë dhe 132 mijë lekë. HAKI SINANI sh.p.k. është kompania e katërt në listën e të përzgjedhurve, me çmim 125 mijë lekë. HIDRO-SISTEM sh.p.k., e pesta në listë, ka ofruar tre opsione çmimi pa TVSH, që nisin nga 116.6 mijë lekë deri në 138.3 mijë lekë pa TVSH, duke pasur parasysh modelin dhe aspektet teknike të instalimit.

Kompania e gjashtë është H.T.T sh.p.k., me katër opsione të ndryshme dhe çmim që luhatet nga 120 mijë lekë në 139 mijë lekë.

E fundit është kompania KLIMATEKNIKA sh.p.k., me çmim pa TVSH të paneleve diellore për ngrohje uji, 139.8 mijë lekë. Me një llogari të thjeshtë, duke marrë modelin më të përgjithshëm me një kosto prej 139 mijë lekësh sipas skemës së qeverisë, ku 70% e paguan ajo dhe 30% konsumatori, rezulton se në një rast si ky, shteti do të paguante 973 mijë lekë pa TVSH ndërsa konsumatori 417 mije lekë.

Aplikimi i konsumatorëve familjarë

Në datën 1 nëntor nisi aplikimi i konsumatorëve për të përfituar nga skema mbështetjes e qeverisë për instalimin e impianteve diellore për ngrohje uji. Siç u shpjegua edhe më herët, të interesuarit do të mund të aplikonin në faqen e agjencisë, ku ndiqet parimi se ai që aplikon i pari, merr shërbimin.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizoi se ka interes të madh nga qytetarët për t’u bërë pjesë e kësaj skeme. Deri ne datën 4 nëntor ishin 580 aplikantë. Numri i atyre që do të mbështeten në fazën e parë është 2 mijë familje, por MIE ka deklaruar se nëse skema rezulton e suksesshme, do të shtrihet në disa faza.

Klientët familjarë që aplikojnë duhet që të përmbushin disa kushte, si dhe të bashkëngjisin dokumentacionin e nevojshëm gjatë kësaj faze.

“Kjo është thirrja e dytë për aplikim, e cila u drejtohet klientëve familjarë të interesuar për marrjen e shërbimit të instalimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit për deri në 2000 (dy mijë) konsumatorë familjarë, të cilët do të përzgjidhen për të përfituar nga kjo skemë mbështetëse.

Klientët familjarë që do të aplikojnë për të përfituar masë mbështetëse do mund të marrin shërbimin vetëm në një nga subjektet e publikuara nga Agjencia e Eficiencës së Energjisë.

Klientët familjarë duhet të aplikojnë me dokumentacionin në përputhje me kriteret e publikuara në faqen zyrtare të AEE, www.eficenca.gov.al, duke filluar nga data 1 Nëntor 2022, sipas parimit ‘i pari që aplikon, i pari merr shërbimin’” njoftoi Agjencia për Eficiencën e Energjisë.

Kushtet që duhet të plotësohen

Klientët familjarë, që kërkojnë të aplikojnë për të përfituar mbështetje për realizimin e investimit duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

Të paraqesin një kontratë ekzistuese me OSHEE/Furnizuesi i Shërbimit Universal ku të jenë të klasifikuar si abonent familjar dhe një historik të konsumit të energjisë për të paktën 6 muaj, që nuk duhet të jetë më pak se 250 kWh për çdo muaj. Kriteri nuk është i zbatueshëm për klientët që trajtohen me ndihmë ekonomike nga ministria përgjegjëse për punët sociale;

Të vërtetojnë se nuk janë debitorë kundrejt OSHEE/FSHU;

Të zotërojnë certifikatë pronësie për banesën ose njësinë e banimit (rastet që janë në proces legalizimi nuk do të konsiderohen).

Lista e dokumenteve që paraqiten

Lista e dokumenteve që duhet të paraqesin konsumatorët familjarë për aplikim në platformën online:

Letërnjoftimi (pasaportë/kartë identiteti);

Certifikata Familjare;

Certifikatë Pronësie;

Faturat e energjisë elektrike për 6 muajt e fundit;

Të paraqesin vërtetim debie nga e-albania që të vërtetojë se nuk janë debitorë kundrejt OSHEE/FSHU për pagesën e energjisë elektrike, ose janë në një marrëveshje për shlyerjen me këste të detyrimeve të prapambetura;

Foto në të cilat tregohet qartë pamja e jashtme e objektit ku do të instalohen panelet diellore për ngrohjen e ujit.

Sipas rastit, dokument që vërteton se janë përfitues të ndihmës ekonomike;

Formulari e vetëdeklarimit sipas Shtojcës nr. 2.

Klientët familjarë, të cilët do të kualifikohen për përfitimin nga kjo skemë mbështetëse, do të duhet të përzgjedhin një nga subjektet e njoftuara nga Agjencia për Eficiencën e Energjisë për marrjen e shërbimit.

Ecuria e procesit nga aplikimi tek instalimi

AEE bëri të ditur se të gjithë klientët familjarë që plotësojnë kriteret, do të aplikojnë në portalin www.eficenca.al i publikuar, duke ngarkuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar. Portali bën renditjen e aplikimeve të para që pajisen me numrin rendor përkatës në mënyrë automatike.

“Brenda dy ditëve punë nga data e pajisjes me numrin përkatës, Agjencia miraton ose refuzon aplikimin dhe njofton aplikuesin në mënyrë elektronike.

Me marrjen e konfirmimit nga Agjencia, klienti familjar duhet të konfirmojë porosinë te subjekti tregtues brenda 7 ditëve pune, duke kryer pagesën në masën 30% të faturës. Mandati i pagesës së bërë dërgohet pranë Agjencisë për Eficiencën e Energjisë nga subjekti tregtar dhe regjistrohet.

Klientët familjarë, që nuk konfirmojnë porosinë dhe si rezultat, nuk dërgojnë mandatin e pagesës prej 30% të faturës brenda afateve të pikës 3 (brenda 7 ditëve pune nga konfirmimi i aprovimit të aplikimit) të këtij Kreu, humbasin të drejtën e financimit. Këta klientë kanë të drejtë të aplikojnë përsëri, duke çelur një aplikim të ri”, – thuhet në shpjegimin e institucionit.

Ky i fundit nënvizon se në rastin kur klienti familjar tërhiqet nga aplikimi, pozicioni i tyre plotësohet nga aplikuesi i radhës, deri në riplotësimin e kuotave.

“Nga momenti i parapagimit të faturës nga klienti familjar, subjektet tregtare duhet të instalojnë sistemin brenda 15 ditëve pune. Masat administrative për mosrespektimin e afateve parashikohen në kontratën standard mes Agjencisë për Eficiencën e Energjisë dhe subjekteve tregtuese.

Klientët familjarë, në çdo rast, duhet të zbatojnë legjislacionin në fuqi për instalimin e këtyre paneleve, si dhe për marrjen e dakordësisë nga bashkëpronarët e tjerë, nëse është e aplikueshme”, – nënvizon AEE.

/Revista Monitor

ME TE LEXUARAT