Briken Calja i gjashti në Lojërat Olimpike në peshën 69 kg

Sport

briken-caljaPeshëngritësi shqiptar Briken Calja është renditur në vendin e 6-të në peshën 69kg, në Lojërat Olimpike “Rio 2016” që po zhvillohen në Brazil.

Calja bëri një garë të mirë, duke u përpjekur të arrijë të rivalizojë me më të mirët e kësaj peshe, por pa sukses (kinezi Zhiyong Shi mori të artën me 352kg). Dy dështime në stilin e shkëputjes bënë që ai të humbiste terren në konkurrimin e tij, ndërsa gara e shtytjes ishte më e mirë për peshëngritësin kuqezi.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në stilin e shkëputjes, shtangisti nga Shtërmeni ngriti 145kg, në shtytje 181kg, duke e mbyllur dygarëshin me 326kg. Në total, Calja realizoi 3 nga 6 provat e tij olimpike.

Në stilin e shkëputjes, Calja i bën një start të mirë garës, duke ngritur në provën e parë 145kg, madje me lehtësi. Shtangisti kuqezi rikthehet në pedanë në provën e dytë me 151kg, por këtë peshë nuk arrin ta ngrejë, madje edhe në përpjekjen e tretë dështon. Për pasojë, Calja e mbyll stilin e shkëputjes me 145kg, duke u renditur në vendin e tetë në këtë stil dhe humbur shumë terren ndaj rivalëve për dygarëshin dhe zonën e medaljeve. Edhe vetë Calja u duk i mërzitur pas kësaj gare, pasi pretendonte më shumë.

Në stilin e shtytjes, gara e shtangistit kuqezi nis me 175kg, peshë të cilën ai e ngre me lehtësi. Edhe në provën e dytë Calja është i suksesshëm, duke ngritur 181kg dhe fiton mjaft terren në renditjen e përgjithshme. Në provën e tretë tenton 184kg, por dështon, duke mos e ngritur dot shtangën. Për pasojë, Calja e mbyll këtë stil në vendin e gjashtë, me 181kg. Ky stil ishte më i mirë për peshëngritësin Briken Calja, ku realizoi dy prova dhe përfitoi nga disa tërheqje të rivalëve për të fituar terren në renditjen e dygarëshit, ku zuri vendin e gjashtë.

Calja është sportisti i dytë shqiptar që garon në Olimpiadën e Rios, pas një tjetër shtangiste, Evangjelia Veli, që u renditet e teta në peshën 53kg, tri ditë më parë. Sot garon edhe notarja Nikol Merizaj në 100 metra stil i lirë. Në garë për ngjyrat kuqezi janë edhe notari tjetër Sidni Hoxha (garon më 11 gusht, në 50 metra stil i lirë) si dhe dy atletët, Luiza Gega (3000 metra me pengesa) e Izmir Smajlaj (kërcim së gjati), që do të garojnë më datën 13 gusht.

ME TE LEXUARAT