Meta mesazhe nga Shkupi kundër ndryshimit të kufijve dhe për bashkëjetesë

Aktualitet

meta shkupKryetari i Kuvendit, Ilir Meta foli për një fqinjësi të mirë, kundër ndryshimit të kufijve, si dhe nevojën e zbatimit të Marreveshjes se Ohrit. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta sot në një fjalim në Kuvendin e Maqedonisë ka dhënë disa mesazhe bashkëpunimi dhe kundër ndryshimit të kufijve. Kryekuvendari shqiptar deklaroi se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë janë kyçe dhe strategjike për tërë rajonin. “Të gjitha forcat politike ashtu si në Tiranë, por edhe në Shkup kanë përgjegjësi dhe detyrë për konkretizimin e këtyre marrëdhënieve dhe përparimin e tyre, duke ndarë edhe angazhimet e përbashkëta.

Ai ka folur edhe për zhvillimet në rajon, duke shprehur kundërshtime për ndryshimin e kufijve.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Shqipëria dhe Maqedonia, shqiptarët dhe maqedonasit, ashtu sikur grekët, serbët, malazezët, boshnjakët dhe kroatët, jetojnë me shekuj në një hapësirë të përbashkët gjeografike dhe ata duhet të ndajnë interesat e tyre të përbashkëta dhe të përdorin të gjitha instrumentet për bashkëpunim shumëplanësh për një qëllim të përbashkët. Ne nuk besojmë në ndryshimin e kufijve në Ballkan, por në heqjen e tyre të plotë, ashtu siç bëri Bashkimi Evropian, destinacioni ku duam të jemi bashkërisht”, theksoi kryetari i Kuvendit shqiptar, Ilir Meta.

Ai nënvizoi se sot është i nevojshëm zhvillimi politikave intelegjente dhe pragmatike duke shfrytëzuar korridoret lidhëse për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie.

“Andaj jam i bindur se jemi pranë një momenti historik, kur duhet të flasim për projekte të përbashkëta të interesit të ndërsjelltë, për energjinë, infrastrukturën, industrinë, ambientin jetësor, turizmin dhe shëndetësinë”, theksoi Meta. Duke folur për integrimin evropian, kryeparlamentari Meta deklaroi se duhet të forcohen përpjekjet e përbashkëta për ndrëtimin e një linje hekurudhore midis dy vendeve si pjesë e rëndësishme e projektit Korridori 8, ndërtimin e Rrugës së Arbërit, si një korridor lidhës midis dy Dibrave.

Ai ndër të tjera theksoi se ka ardhur në Shkup për të shprehur porosinë e qartë për një miqësi të sinqertë dhe për të konfirmuar se Shqipëria është si vend fqinj dhe si vend anëtarë i NATO përkrahë Maqedoninë në rrugën e saj në planin e integrimeve evroatlantike.

Meta shtoi se për ndërtimin e fqinjësisë së mirë duhet punuar bashkërisht për të rritur besimin.

“Jam i bindur se rruga rruga e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit pozitiv është shprehje e një vullneti të popujve tanë që i përfaqësojmë. Popujt kanë dashur dhe duan paqe, bashkëpunim dhe mirëqenie”, theksoi Meta.

Kryeparlamentari shqiptar u ndal edhe në nevojën e pashmangshme për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke theksuar se kjo marrëveshje e forcon dhe e ofron popujt mes veti dhe vendin drejt BE-së.

“Qytetarët e vendit tuaj pavarësisht përkatësisë etnike do të përfitonin shumë më shumë nga një avancim më i përshpejtuar ti zbatimit të plotë të kësaj marrëveshje, që ju keni nënshkruar 14 vjet më parë. Do të merrni kështu rezultate konkrete të prekshme dhe të ndjeshme për të gjithë. Në radhë të parë për stabilitetin e Maqedonisë, por edhe për ngushtimin e hapësirave të spekulimeve ekstremiste ngado që ato vijnë. Më konkretisht, duke vlerësuar progresin e deritanishëm domethënës ne inkurajojmë një ndarje edhe më proporcionale buxhetore dhe një pjesëmarrje më të madhe dhe më cilësore të shqiptarëve si faktor shtet-formues në jetën sociale, administrative, e politike të Maqedonisë. Pabarazia e investimeve dhe zhvillimit që bie pre në disa rajone perëndimore të vendit, ka nevojë të zbutet deri në krijimin e një realiteti të ri mjaftë më të harmonishëm. Dua të sigurojë se Shqipëria gjithnjë do të qëndrojë pranë në mbështetje të progresit të Maqedonisë”, deklaroi Ilir Meta.

Fjalimi i tij është duartrokitur nga deputetët e Parlamentit të Maqedonisë, ndërsa ai gjithashtu është transmetuar drejtpërdrejt në televizionin publik të vendit. (INA)

ME TE LEXUARAT