Veliaj përuron shkollën në Durrës: "Arsimi profesional garanton punësim"

Politikë

veliaj-durresArsimi profesional mbetet një prioritet për qeverinë shqiptare, si një mundësi e shkëlqyer për t’iu përgjigjur tregut të punës me të rinj që kanë një zanat dhe që dinë të bëjnë diçka me duart e tyre. Ky është mesazhi që dha sot Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, gjatë përurimit të shkollës së re profesionale «Hysen Çela» në Durrës, e cila ofron jo vetëm ambiente të reja, por edhe pajisje mësimore bashkëkohore për nxënësit. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Kryetari i Bashkisë së Durrësit, z.Vangjush Dako.

Veliaj e konsideroi shkollën e rikonstruktuar dhe arsimin profesional si një alternativë serioze për të gjithë ata të rinj dhe të reja që duan të fitojnë një zanat në jetë. “Më vjen mirë që prindërit tuaj ju kanë çuar në një shkollë profesionale sepse është e vetmja që garanton punësim, në kushtet kur tregu kërkon më shumë zanate se sa diploma”, tha ministri Veliaj. Ai vuri në dukje se falë përkushtimit dhe vizionit të qeverisë u bërë e mundur që të rinjtë t’i kthejnë sytë drejt zanateve, çka sipas tij e tregon edhe rritja me 40% e numrit të të rinjve të regjistruar për herë të parë gjatë këtij viti shkollor në shkollat profesionale.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Vitin e fundit kemi hapur disa shkolla të rinovuara, në mënyrë që të rinjtë që zgjedhën arsimin profesional, të mësojnë në ambiente dinjitoze. Ky ka qenë një vit i jashtëzakonshëm sepse për herë të parë u rrit me 40% numri i atyre që zgjodhën shkollat profesionale dhe besoj se do të kujtohet si viti ku, jo vetëm hapëm shkolla moderne, por edhe kthyem mentalitetin e punës dhe zanateve“ u shpreh z. Veliaj.

Ai veçoi si risi faktin që tashmë, edhe falë mbështetjes së partnerëve të huaj dhe sipërmarrjes, në vendin tonë po zbatohet sistemi dual gjerman i mësimdhënies, pra alternimi i teorisë me praktikën, në ambientet e bizneseve konkrete. “Nxënësit e kalojnë 30% të kohës së mësimit në praktikë, pranë një biznesi. Kanë një bord drejtues shkolle që drejtohet nga biznesi. Është e vetmja mënyrë që garanton punësim, për të gjithë ata të rinj që po studiojnë këtu hoteleri turizëm, dizajn dhe modë, tekstil dhe ata që kanë nisur të studiojnë në degën e peshkimit”, tha ministri Veliaj.

Veliaj vuri në dukje faktin se në shkollat e mesme, nëndrejtorët do jenë të huaj nga Zvicra, Austria, Gjermania apo SHBA, si një mundësi për të marrë përvojën më të mirë nga këto vende për arsimin profesional. Prej një viti e gjysmë, MMSR ka ndërmarrë një reformë të gjerë si në aspektin e mësimdhënies dhe drejtimit të këtyre shkollave, por edhe në krijimin e ambienteve dhe laboratorëve të tillë, që ofrojnë mundësitë më të mira të të mësuarit të një zanati apo profesioni.

ME TE LEXUARAT