Fleckenstein para medias: Nuk jam arbitër e as mësues! Bëni reformat, ecni përpara

Aktualitet

FleckensteinKnutt Fleckenstein u shfaq para medias në përfundim të vizitës në Tiranë në cilësinë e raportuesit të Komisionit Evropian për Shqipërinë. Ai tha se do të paraqesë një raport për progresin në Shqipëri dhe situatës lidhur me reformat evropiane. “Ajo çfarë ndodh në Shqipëri është e rëndësishme për ne. Në vitin 2009 Shqipëria ka aplikuar për tu bërë vend anëtar i Bashkimit Evropian. Gjatë 48 orëve të fundit kam diskutuar lidhur me reformat, me kryetarin e parlamentit, Presidentin, shumë ministra dhe shumë përfaqësues të partive politike. Kur të largohem nesër në mëngjes do të kem takuar dhe shumë qytetarë si përshembull përfaqësues të të rinjve, grupeve të shoqërisë civile”, u shpreh ai.

Ai insistoi se nuk ka ardhur në Tiranë si arbitër dhe as si mësues. “Ky është një qëndrim i cili nuk më pëlqen. Nëse do ishte kështu do të ishte mënyra e gabuar për qasjen ndaj gjërave. Unë dua të dëgjoj e të kuptoj kur do realizohen reformat. Nga diskutimet e realizuara, mendoj se sfida është forcimi i shtetit të së drejtës, të realizohet klima e besimit, shpresës dhe dialogut. Flas për besimin tek institucionet, tek një e ardhmje më e mirë, dialog mes partive politike”, nënvizoi ai.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Fleckenstein tha se integrimi evropian nuk përmbushet brenda një qeverisjeje por është një proces i gjatë. “Nuk po flasim për një garë të shkurtër por një maratonë e gjatë. Është me rëndësi që grupimet politike në parlament të punojnë në mënyrë konstruktive për të arritur objektivat. Politikanët shqiptar duhet tu shpjegojnë qytetarëve të tyre, se çfarë po bëhet me reformat, çfarë duhet të realizohet. Duhet të shpjegojmë se çfarë sjell anëtarësimi për vendet tona dhe çfarë duhet të bëjnë njerëzit për të kontribuar”, tha ai.

Duke ju referuar forcimit të shtetit të së drejtës, Fleckenstein tha se është proces që lidhet me luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar. “Ajo çka kam parë është goxha premtuese. Qeveria ka nisur të zbatojë ligjet por ndërsa është mirë të zbatohen ligjet është me rëndësi që të veprohet në mënyrë të ligjshme po ashtu. Ky është një element i rëndësishëm për tu theksuar. Reforma në administratë, reforma në gjyqësor, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut”.

ME TE LEXUARAT