Flet Amiran Dzanashvilli: Ajola Xoxe, avokatja ime në blerjen e Xhoi Loto

Aktualitet

amirannnBiznesmeni izraelit, Amiran Dzanashvilli, i vendosur në qendër të ciklonit politik të opozitës, për herë të parë sqaron të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij, e në mënyrë të posaçme ato të lidhen me pastrimin e parave.

Nga Londra, ku ndodhet prej disa ditësh për arsye biznesi, 47-vjeçari flet me detaje për lidhjet e tij me politikanët shqiptarë. Ai tregon se ka zhvilluar edhe disa takime me Shkëlzen Berishën në kohën kur Sali Berisha ishte kryeministër. Ai i quan qesharake akuzat se u ka paguar socialistëve 2 milionë euro për fushatën elektorale të vitit 2013.

Dzanashvilli deklaron se, ai asnjëherë deri më tani nuk është kontaktuar nga prokuroria, e cila ka nisur një hetim për pastrim parash, por është i gatshëm të bashkëpunojë në çdo kohë. Biznesmeni foli ne nje interviste per Top Channel.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Top Channel: Zoti Dzanashvili, nga cili vend jeni duke e dhënë këtë intervistë?

Amiran Dzanashvilli: Unë tani jam në Londër. Kam tre ditë këtu. Siç mund ta dini, një pjesë e bizneseve të mia menaxhohen nga këtu.

Top Channel: Në median shqiptare është raportuar se ju jeni arrestuar në Rumani. Është e vërtetë kjo?

Amiran Dzanashvilli: Jo! Nuk është ë vërtëtë, pasi unë jam ndaluar për 13 apo 14 orë. Nuk ishte arrest, ishte thjesht ndalim për një incident të ndodhur në një hotel. Unë jam pronar i kazinosë më të madhe në Rumani, në një prej hoteleve më të mëdha atje. Në këtë incident janë ndaluar 50 persona. Unë këtë ngjarje e konsideroj pa asnjë problem për mua.

Top Channel: Pra ju mohoni të gjitha akuzat që janë publikuar në Shqipëri se në këtë incident jeni ndaluar për prostitucion dhe pastrim parash?

Amiran Dzanashvilli: Shiko, unë nuk kam asnjë akuzë që lidhet me këto dy çështje që ju përmendët. Më vjen për të qeshur sa herë më përmendet pastrimi parave. Kur flitet për pastrim parash tingëllon diçka bombastike, seksi e kështu me radhë. Por nuk jam i sigurt se njerëzit e kuptojnë definicionin e pastrimit të parave. Pastrim parash do të thotë kur një individ privat apo kompani merr para të pista, prodhuar nga aktivitete kriminale dhe duke i injektuar në një kompani legjitime, duke paguar taksat, kështu ndodh pastrimi i tyre. Si mund të ngresh akuza për mua se kam pastruar para? Çfarë parash? Ajo që unë kam bërë në Shqipëri deri më tani rezulton se jam duke humbur para, dhe jo duke fituar. Unë kam investuar paratë e mia që për momentin nuk kanë sjellë fitim. Por shpresoj se kjo situatë do të ndryshojë dhe do të vijnë fitimet. Nëse do t’i rikthehemi Rumanisë, ndaj meje kurrë nuk janë ngritur akuza apo të jem dënuar. Në historinë e jetës time nuk ka asnjë çështje penale. Jam 47 vjeç dhe kurrë nuk jam akuzuar për vepra penale apo të kem rekorde të tilla.

Top Channel: Zoti Dzanashvili, emri juaj dy ditët e fundit është në qendër të debateve politike këtu në Shqipëri. Madje, të enjten, në Parlament ish-kryeministri Berisha lëshoi akuza se jeni një biznesmen i korruptuar me lidhje të forta me kryeministrin Edi Rama. Cili është komenti juaj për këtë?

Amiran Dzanashvilli: Nuk doja të qesh, pasi unë e njoh Sali Berishën sikurse njoh edhe Zeni Berishën, nga koha kur Saliu ishte kryeministër. E kam takuar atë dy herë në Shqipëri dhe në Tel Aviv, nuk më kujtohet mirë në vitin 2010 apo 2011, kur ai ishte për vizitë. Unë jam biznesmen, një njeri i ndershëm, një investitor i huaj në Shqipëri. Jam një biznesmen tërësisht a-politik, duke mbajtur shpresën tek politika. Megjithatë i njoh të gjithë politikanët në të gjitha ato vende, ku unë shkoj të bëj biznes, pasi janë të një shkalle të gjerë. Meqënëse jam në biznesin e kazinove, shpeshherë duhet të takoheni me ministritë e Financave. Puna ime bën të takoj politikanë. Në rastin e Shqipërisë kurrë nuk kam mbledhur fonde apo injektuar para në fushatën elektorale të zotit Rama. Me zotin Rama jam takuar dy here, para dhe pas zgjedhjeve. E kam takuar në zyrën e tij, ku i kam paraqitur disa mega-projekte nga investitorë amerikanë për t’i sjellë në Shqipëri. E konsideroj zotin Rama si një politikan inteligjent, por nuk kam ndonjë miqësi speciale me të. Sikurse nuk kam me zotin Berisha apo Ilir Metën ose të tjerë. I respektoj të gjithë, por nuk e kuptoj përse zoti Berisha ka bërë të tilla deklarata, pa patur edhe dyshimin më të vogël.

Top Channel: Ju përmendët emrin e Zenit, duke thënë se e njihni atë, pra Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Berisha. A e keni takuar Shkëlzenin në Tiranë për qëllime biznesi?

Amiran Dzanashvilli: Ka ndodhur 4 apo 5 vite të shkuara. Po, unë e kam takuar Zenin në zyrën e tij. Nëse nuk gabohem, ai ka diplomë për juridik, pra është avokat. Kam zhvilluar me të dy takime pa asnjë konsekuencë. Takimet janë zhvilluar në kohën ku babai i tij ishte kryeministër.

Top Channel: Një tjetër akuzë e bërë nga Berisha në Parlamet lidhet me një pagesë prej 2 milionë euro për Edi Ramën përpara fushatës elektorale të 2013-s. A e keni bërë një pagesë të tillë?

Amiran Dzanashvilli: Një shaka e bukur.

Top Channel: Kaq është komenti juaj?

Amiran Dzanashvilli: Natyrisht, pasi është një shaka.

Top Channel: Kur Berisha ishte kryeministër, sa herë jeni takuar me të në Tiranë?

Amiran Dzanashvilli: Nuk më kujtohet me saktësi. 3 ose 4 herë. Dua t’ju tregoj se unë kam biznese edhe në vende të tjera të Ballkanit. Dhe në këtë pozitë gjithmonë takohem me politikanë, kjo për të kuptuar se si mund të avancosh me investimet që ke në mendje.

Top Channel: Në Shqipëri a keni ndonjë marrëdhënie të veçantë e më miqësore me ndonjërin nga politikanët që përmendët?

Amiran Dzanashvilli: Kurrë! Kurrë nuk kam kontribuar me para për asnjë parti politike në Shqipëri apo individualisht për ndonjërin prej politikanëve.

Top Channel: A jeni në dijeni të një hetimi që ka nisur prokuroria shqiptare ndaj jush, ku në qendër të tij jeni ju për pastrim parash?

Amiran Dzanashvilli: Jam shumë i lumtur që ata po hetojnë. Le t’i lejojmë ata ta përfundojnë dhe të shohim përfundimin. Jam gati t’i ndihmoj prokurorët dhe t’i asistoj në gjithçka që u duhet. U vë në dispozicion të gjitha dokumentet që mund t’u duhen. Çfarë mund t’u duhet të kontrollojnë, patjetër që mund ta bëjnë. Në mënyrë të menjëhershme mund t’u jap dritën jeshile avokatëve të mi t’i dërgojnë prokurorisë çdo dokument për cilindo autoritet në Shqipëri, për të kontrolluar çdo gjë, në mënyrë që ta mbyllin hetimin dhe të japin një përfundim.

Top Channel: Deri tani a jeni kontaktuar nga prokuroria për llogari të këtij hetimi?

Amiran Dzanashvilli: Jo.

Top Channel: Meqënëse jemi tek avokatët. Më 24 prill 2013, ju keni formosur një autorizim për t’u dhënë të drejtë avokatëve tuaj të përfshihen në transaksione fiskale. Njëra prej tyre është zonja Ajola Xoxa. Mund të na thoni nëse ajo është punësuar prej jush?

Amiran Dzanashvilli: Ajo zonjë punon për një kompani avokature, e cila është një prej disa kompanive avokature që më përfaqësojnë mua. Kjo kompani avokature më ka prezantuar mua, në një prej blerje që kam zhvilluar. Kompanisë Joy Loto. Kjo zonjë punonte për këtë kompani. Kjo është lidhja.

Top Channel: A e keni punësuar ju si pjesë e stafit të kompanive tuaja?

Amiran Dzanashvilli: Jo.

Top Channel: Një ditë më pas nga firmosja e këtij autorizimi, sipas dokumenteve të prokurorisë, ju bletë nga zoti Ervin Cenollari 35% aksione me vlerë 300.000 euro. Por shitët tek Ofer Nimrodi 15% të aksioneve me vlerë 1.800.000 euro. Si mund të jetë e mundur kjo?

Amiran Dzanashvilli: Numrat nuk janë në rregull. Numrat nuk janë në rregull, pasi ne marrëveshjen totale e kemi zhvilluar në disa faza. Në fillim, ne blemë një pjesë të aksioneve dhe tani kompania është tërësisht në pronësinë tonë. Gjithçka është e dokumentuar. Avokatët e mi janë të gatshëm t’ju vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin e transaksioneve për të gjitha fazat e marrëveshjes. Zoti Nimrodi bleu aksione që nuk kanë aspak lidhje me mua. Pra, dua ta theksoj. Transaksionet janë zhvilluar në disa faza dhe jo në formën e blerjes dhe më pas shitjes nga unë. Intervistoi: Muhamed Veliu

ME TE LEXUARAT