VIDEO/ “Vritini shqiptarët”, thirrje skandaloze në UFC Beograd gjatë hyrjes së luftëtarit shqiptar të MMA-së

Mbrëmja e UFC-së në Beograd është shoqëruar me një incident të rëndë, pasi një pjesë e tifozëve në arenë kanë lëshuar thirrje antishqiptare në momentin kur luftëtari amerikan me origjinë shqiptare, Dennis Buzukja, hyri në oktagon duke mbajtur flamurin kombëtar shqiptar.
Atmosfera u tensionua që në hyrjen e sportistit, ndërsa nga tribunat u dëgjuan brohoritje fyese dhe slogane urrejtjeje ndaj shqiptarëve. Sipas raportimeve të mediave që ndoqën aktivitetin, një pjesë e publikut brohoriti edhe thirrjen: “Vritini shqiptarët”, duke shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale.
Pavarësisht atmosferës armiqësore, Buzukja zhvilloi duelin e tij në kategorinë featherweight përballë sllovenit Bogdan Grad. Pas një ndeshjeje të fortë, gjyqtarët i dhanë fitoren Gradit.
Megjithatë, incidenti në tribuna mori po aq vëmendje sa edhe përballja sportive, duke rikthyer debatin mbi gjuhën e urrejtjes dhe sjelljen e tifozëve në ngjarje ndërkombëtare sportive. Pamjet e hyrjes së Buzukjas me flamurin kuqezi dhe reagimi i një pjese të publikut në Beograd janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.


