Maran nuk trembet nga problemet te Kombëtarja: Nuk qaj për vështirësitë, ato na stimulojnë

Sport

Maran nuk trembet nga problemet te Kombëtarja: Nuk qaj për

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, nuk trembet nga situata e krijuar në prag të nisjes së ndeshjeve zyrtare dhe refuzon që problematikat e kuqezinjve të kthehen në justifikime. 



Në një intervistë për Top Channel, italiani foli për ndryshimet e shumta në skuadrat e lojtarëve shqiptarë, futbollistët që ende nuk kanë gjetur ekip dhe mungesën e minutave për disa prej tyre.

“Pas këtyre dy ndeshjeve të qershorit, tani kam mundësinë të shoh shumë gjëra dhe të kem një vizion më të qartë”, tha ai.

Trajneri italian ka ndjekur gjatë kësaj periudhe sa më shumë ndeshje të lojtarëve kuqezi, ndërsa në ditët në vijim do të udhëtojë në rreth shtatë vende të ndryshme për të parë nga afër futbollistët.

Maran nuk e fsheh se do të preferonte që lojtarët e tij të kishin më shumë vazhdimësi dhe minuta në klubet ku aktivizohen.

“Sidomos për Kombëtaren, është thelbësore që një lojtar të luajë. Mesazhi që kam përcjellë është që shpresa ime mbetet që ata të mund të luajnë dhe të kenë vazhdimësi”, u shpreh ai.

Por kur vjen momenti për të folur për gjendjen e Shqipërisë para Nations League, Maran tregohet i qartë.

“Këtë do ta tregojë fusha”, deklaroi trajneri.

Ai pranon se, pa problematikat e merkatos, skuadra mund të kishte më shumë siguri, por nuk e sheh këtë si një arsye për alarm.

“Jam i bindur që Kombëtarja është një skuadër që mund të bëjë gjëra të rëndësishme. I ka të gjitha letrat për t’i luajtur këto ndeshje në mënyrën më të mirë.”

I pyetur nëse ka frikë nga vështirësitë që mund të shoqërojnë përgatitjet për ndeshjet zyrtare, trajneri italian jep një përgjigje të prerë.

“Jo, frikë jo. Është e qartë që ka vështirësi, por vështirësitë të stimulojnë.”

Maran nuk pranon që problemet e merkatos apo situata e lojtarëve të përdoren si alibi.

“Unë nuk jam i mësuar të qaj për vështirësitë. Ato duhet të jenë një stimul për të bërë akoma më shumë. Ne duhet të dimë që do të ketë vështirësi dhe duhet të jemi të gatshëm për to.”

Sipas trajnerit, pikërisht mënyra se si Shqipëria do t’i përballojë këto probleme mund të ndikojë në forcën e skuadrës.

“Por nëse vështirësitë i përdorim si alibi, jo. Vështirësitë duhet të japin stimul, forcë, akoma më shumë dëshirë për të bërë mirë dhe për t’i kaluar. Kur kalon vështirësitë, ndihesh më i fortë. Dhe ky është objektivi ynë" - tha ai.

ME TE LEXUARAT