Goretzka nuk është i kënaqur me rolin te Gjermania, por mbetet i motivuar për Botërorin 2026

Sport

Goretzka nuk është i kënaqur me rolin te Gjermania, por mbetet i

Leon Goretzka synon të lërë pas zhgënjimet e dy Botërorëve të fundit dhe të rikthejë besimin e tifozëve te kombëtarja gjermane, megjithëse aktualisht nuk gëzon statusin e titullarit të padiskutueshëm në skuadrën e drejtuar nga Julian Nagelsmann.

Mesfushori gjerman ka pranuar se pozicioni i tij aktual nuk është ai që do të dëshironte, por është i vendosur të japë maksimumin sa herë që i jepet mundësia. Pas paraqitjeve zhgënjyese të Gjermanisë në Botërorët e viteve 2018 dhe 2022, ku ai luajti vetëm katër ndeshje në total, Goretzka shpreson të shkruajë një kapitull të ri në karrierën e tij me fanellën e kombëtares.

“Sigurisht që dua t’i rregulloj gjërat. E ndien se entuziazmi dhe afërsia me tifozët nuk janë më në nivelin që kanë qenë dikur. Kemi humbur diçka në këtë drejtim dhe duam ta fitojmë sërish. Ky është motivimi im më i madh personal dhe e gjithë skuadra mendon në të njëjtën mënyrë”, është shprehur ai.

Gjermania do të paraqitet në Botërorin e ardhshëm pa statusin e favoritit absolut, një realitet që Goretzka e pranon me sinqeritet. Sipas tij, rezultatet e viteve të fundit kanë bërë që kombëtarja gjermane të mos konsiderohet më mes pretendentëve kryesorë për trofeun.

“Nuk ndihemi si një nga favoritët kryesorë dhe duhet të jemi të sinqertë për këtë. Megjithatë, nuk është domosdoshmërisht një gjë negative”, deklaroi mesfushori.

Ai shtoi se do të preferonte që Gjermania të hynte në turne si skuadra për t’u mundur, një situatë që e ka përjetuar shpesh në nivel klubesh. Megjithatë, ai beson se realiteti aktual mund të shërbejë si motiv shtesë për ekipin.

“Do të preferoja të ishim favoritët kryesorë, sepse atëherë shanset për të fituar janë më të mëdha. Por, duke parë çfarë ka ndodhur në vitet e fundit, nuk do të ishte e drejtë ta quanim veten favoritë për titull. Roli që kemi tani mund të na japë forcë dhe motivim shtesë”, tha Goretzka.

Në fund, futbollisti gjerman u shfaq optimist për potencialin e skuadrës, duke theksuar se një rritje graduale gjatë turneut mund ta shndërrojë Gjermaninë në një pretendente serioze.

“Nëse arrijmë të rritemi si skuadër gjatë turneut, atëherë nuk ka kufij për ne”, përfundoi ai.

ME TE LEXUARAT