Risia e re! Numri yt i telefonit nuk do të jetë më i nevojshëm në WhatsApp, ja si do të funksionojë

Soft

Risia e re! Numri yt i telefonit nuk do të jetë më i

WhatsApp ka njoftuar se së shpejti përdoruesit nuk do të jenë më të detyruar të japin numrin e telefonit për t’u kontaktuar, pasi do të mund të përdorin një emër unik përdoruesi (username), njësoj si në rrjete të tjera sociale. Përdoruesit e tjerë do të mund t’i gjejnë dhe t’u dërgojnë mesazhe vetëm duke kërkuar atë emër.

Kompania ka nisur t’u lejojë disa përdoruesve të rezervojnë emrat e tyre unikë, të cilët do të përdoren kur funksioni të jetë aktiv për të gjithë, gjatë muajve të ardhshëm.

Deri tani, në WhatsApp çdo person mund të kontaktohej nga kushdo që kishte numrin e tij të telefonit.

Me ndryshimin e ri, përdoruesit mund të zgjedhin që të gjenden dhe të kontaktohen vetëm përmes username-it, pa zbuluar numrin. WhatsApp, që ka mbi 3 miliardë përdorues në botë, tha se ky është një funksion i krijuar për të rritur privatësinë.

Ndërsa amerikanët vazhdojnë të preferojnë më shumë mesazhet tradicionale SMS sesa WhatsApp-in, aplikacioni është shumë i përdorur në Europë, Azi dhe pjesën më të madhe të botës.

Emrat interesantë dhe të veçantë të përdoruesve pritet të jenë shumë të kërkuar, ndaj shumë persona mund të përpiqen të sigurojnë emrat më të dëshiruar. Për këtë arsye, kompania ka hapur rezervimet më herët.

Sipas zëvendëspresidentes së produkteve në WhatsApp, Alice Newton-Rex, shumë njerëz do të duan të marrin një username të veçantë dhe kjo është arsyeja pse kompania vendosi të nisë procesin e rezervimit.

Edhe kompanitë, organizatat dhe krijuesit e përmbajtjeve që kanë llogari në platformat e Meta-s, si Instagram dhe Facebook, do të kenë mundësi të marrin emrat e tyre të përdoruesit në WhatsApp.

Username-t do të duhet të jenë nga 3 deri në 35 karaktere. Për të parandaluar mashtrimet dhe imitimet, WhatsApp do të rezervojë emra të caktuar për persona ose institucione të njohura, si figura publike, personazhe të famshëm dhe organizata qeveritare.

Kompania thekson se nuk do të ketë një listë publike me username-t dhe përdoruesit nuk do të shohin sugjerime gjatë kërkimit. Për të kontaktuar dikë për herë të parë, do të duhet të dinë saktësisht emrin e tij të përdoruesit.

ME TE LEXUARAT