Ekspozimi i lartë në diell, rrit me 60% riskun për kancer lëkure

OBSH: 1 në 3 vdekje nga tumoret në lëkurë vijnë për shkak të saj
Ekspozimi i lartë në diell rrit me 60 % riskun për kancer të lëkurës. Sipas ekspertëve 1 në 3 vdekje nga kanceri i lëkurës kanë si faktor kryesor ekspozimin e lartë në diell.
“Një nga risqet përsa i përket rrezatimit të lartë të diellit, është kusht që të krijohen format e kancerit të lëkurës, që në disa raste 70 % kurohen, ndërsa më agresiv ështe melanoma e cila nëse kapet në faza të vona ka risk më të lartë”, tha dermatologia, Blerta Gjoni.
Më të rrezikuar janë punëtorët në bujqësi dhe ndërtim të cilët janë të ekspozuar ndaj rrezeve të forta të diellit.
“Për popullatën që e kanë në punën e tyre që janë të ekpozuar, ata që merren me bujqësi, apo ndërtim, duhet të kenë një lloj edukimi të veshin veshje të bardha, kapele, dhe të përdorin krem mbrojtës me filtër mbi 50. Duhet të ndryshojmë konceptin që nuk parandalohet vetem plakja e lëkurës, por edhe melanoma forma më agresive“, tha ajo.
Në 80 % të rasteve tumoret e lëkurës mund të kurohen, përveç melanomës.
“Ka raste që vijnë në forma të avancuara të melanomës, por çdo element dyshues mund të ulcërohen dhe të jene më të thelluara, melanoma kërkon ekzaminim të hershëm, me dermatoskopi kapet shumë thjesht. Në moshat e mëdha kanë ardhur në rritje dhe më të shpeshtë si problematike, ndërsa moshat e reja janë më të vëmëndshme”.
Lëkurat e bardha kërkojnë më shumë kujdes dhe mbrojtje në temperaturat e larta.


