Xhuli Nura flet për herë të parë për shtatzëninë dhe donatorin: Është shqiptar

Juliana Nura, ish-finalistja e Big Brother VIP Kosova, mbrëmjen e kaluar organizoi premierën e reality show-t të saj më të ri, “Eagle Queen”, ku mblodhi miq të afërt dhe emra të njohur të skenës publike.
Në këtë paraqitje, ajo u shfaq për herë të parë publikisht me barkun e rrumbullakosur, duke konfirmuar zyrtarisht se është në pritje të ëmbël.
Juliana ka vendosur ta përjetojë këtë rrugëtim si nënë e vetme, duke zgjedhur procedurën e fekondimit in vitro, një vendim që ka ngjallur shumë diskutime.
Interesi i publikut u përqendrua menjëherë te identiteti i babait biologjik të foshnjës. Në rrjet qarkulluan aludime të ndryshme, madje pati edhe komente me humor ku u përmendën emra si Karim Benzema dhe Cristiano Ronaldo.
Megjithatë, në një intervistë për Prive by Liberta Spahiu, Juliana vendosi t’i japë fund çdo spekulimi.
Pasi reagoi me humor ndaj zërave që qarkullonin, ajo sqaroi edhe origjinën e donatorit.
“Personi që ka dhënë pjesën e 49 përqindshit të formimit, të fillimit të embrionit, është donator shqiptar. Shqiptar është beba! Shqiptar edhe nga nëna, edhe nga baba”, u shpreh Juliana.
Gjatë intervistës, ajo tregoi se vendimi për t’u bërë nënë në këtë mënyrë nuk ishte impulsiv, por i menduar me kujdes.
Sipas saj, kjo ishte zgjedhja më e mirë për të mos rrezikuar qetësinë e saj dhe të fëmijës me marrëdhënie që mund të mos funksiononin në të ardhmen.
Juliana iu përgjigj edhe kritikave të atyre që e konsiderojnë këtë vendim egoist.
Ajo theksoi se askush nuk mund ta gjykojë pa qenë në vendin e saj dhe shtoi se komentet negative, sipas përvojës së saj, vijnë kryesisht nga burrat, ndërsa gratë e kanë mbështetur dhe e kanë përgëzuar për guximin.
Historia e plotë e këtij rrugëtimi do të zbulohet në episodet e reality show-t “Eagle Queen”.


