Ylli Manjani rrëfen bisedën e fundit me Artan Lamen: Fiks para një jave, më tha do ngjis tubin e gjakut!
Kjo e enjte trishtoi jo pak të gjithë ata miq të shumtë të Artan Lames, të cilin zemra e tradhtoi në shtratin e një spitali në Gjermani.
Humbja e parakohshme e Tanit, ashtu si dhe miqtë dhe shokët e thërrisnin, ka bërë që shumë figura publike të reagojnë dhe përmes rreshtave të shkruar në postimet e tyre të shprehin dhimbjen për humbjen e një njeriu i cili përgjatë gjithë jetës së tij ishte kurdoherë aty për ta.
Së fundmi ka qenë ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani i cili i shokuar nga lajmi që lexoi mëngjesin e kësaj të enjte, ka kujtuar dhe telefonatën e fundit që kishte zhvilluar me Lamen.
Kjo telefonatë u bë mes tyre një javë më parë, një telefonatë mes miqsh, ku përpos problemeve, e situatës politike në vendin tonë, ata kishin biseduar edhe për ndërhyrjen kirurgjikale që Lame do të kryente.
Më tej Manjani zbulon se e kishin lënë sërish të flisnin pas ndërhyrjes, por fatkeqësisht kjo telefonatë mbeti thjesht një fjalë e thënë mes dy shokësh.
“E lamë të flisnim pas ndërhyrjes...Sot lexova lajmin e kobshëm! Se di!Trishtim!”, shkruan ish-ministri.
Postimi i plotë i Manjanit:
Fola në telefon të enjten me Lamen. Fiks para një jave . "Do operohem të ngjis tubin e gjakut", më tha. "Zemrën e kam top, por tubat jo"- vijoi...
Paske nevojë për hidraulik, jo për doktor- i thashë.
Qeshëm...
Folëm për rezultatin e zgjedhjeve. Edhe për pak politikë...
Ai më tregoi një histori nga koha e shkuar. Ja ktheva me një barcoletë nga të zakonshmet. Qeshëm prap.
E lamë të flisnim pas ndërhyrjes...
Sot lexova lajmin e kobshëm!
Se di!
Trishtim!
*****
Mbase është i pavërtetë lajmi...
Lutem!
Zakonisht e bën një biçim udhëtimi nganjëherë andej matanë e kthehet prap.
Se di!
Po sdua ta besoj atë lajm.
Shuhet Artan Lame!