Vota e diasporës, KQZ i propozon partive politike ndryshime në Kodin Zgjedhor!

Politikë

Vota e diasporës, KQZ i propozon partive politike ndryshime në Kodin

KQZ i ka propozuar partive politike disa ndryshime në Kodin Zgjedhor lidhur me votën e emigrantëve shqiptarë nëpër botë, për zgjedhjet e 11 majit.

KQZ propozon se në rastet kur emigrantët vërejnë se nuk janë të regjistruar në listën e zgjedhësve, ose regjistrimi i tyre ka pasaktësi, ndërkohë që ata kanë aplikuar, ata të mund të paraqesin kërkesën në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë deri 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve nga 7 që është aktualisht.

Kërkesa e plotë:

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Drejtuar: Kuvendit të Shqipërisë

Për dijeni: Partisë Socialiste të Shqipërisë

Partisë Demokratike

Partisë së Lirisë

Partisë Socialdemokrate

Partisë Republikane

Partisë Agrare Ambientaliste

Partisë për Drejtësi Integritet dhe Unitet

Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut

Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar

Të nderuar deputetë,

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar përgatitjet për zhvillimin e votimit nga jashtë për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025. Në kuadër të këtyre përgatitjeve, si dhe në vlerësim të takimeve konsultuese që KQZ-ja ka zhvilluar me përfaqësues të aktorëve të ndryshëm, çmoj se rregullimet e parashikuara në nenin 25, pika 8, të Kodit Zgjedhor, me shumë mundësi nuk do të gjejnë zbatim praktik.

Sipas parashikimeve të kësaj dispozite, zgjedhësi që ka paraqitur kërkesë për regjistrim në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë ka të drejtë të paraqesë kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë deri 7 ditë përpara datës së zgjedhjeve, kur vëren se nuk është i regjistruar në këtë listë, ose regjistrimi i tij ka pasaktësi.

Gjykata e shqyrton dhe vendos në lidhje me kërkesën brenda 24 orëve nga data e regjistrimit të kërkesës, por jo më vonë se 5 ditë para datës së zgjedhjeve. Emri dhe të dhënat e tjera të zgjedhësit, që i shtohen listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, i bashkëngjitet vendimi i gjykatës.

Në vlerësimin tonë, nga përmbajtja e kësaj dispozite duket se objektivisht është e pamundur të realizohet procesi i votimit nga jashtë vendit në afatin 5-ditor të parashikuar. Nga momenti që gjykata pranon kërkesën e zgjedhësit, ngelen vetëm 5 ditë për t’i dërguar atij fletën e votimit dhe për kthimin e saj mbrapsht në KQZ.

Për sa më sipër, propozoj që kërkesa për regjistrim në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të paraqitet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë deri 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Kjo kërkesë mund të paraqitet edhe online nëpërmjet një platforme elektronike të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Gjykata e shqyrton dhe vendos në lidhje me kërkesën, nëpërmjet kësaj platforme, brenda 48 orëve nga data e regjistrimit të kërkesës. Emri dhe të dhënat e tjera të zgjedhësit, që i shtohen listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, i bashkëngjitet vendimi i gjykatës.

Ky ndryshim do t’i siguronte zgjedhësit nga jashtë mundësinë reale për të ushtruar të drejtën e tij përmes një procesi të thjesht dhe të aksesueshëm pa u penguar nga distanca gjeografike dhe kohore. Në këto rrethana, bazuar edhe në nenin 19, pika 1, shkronja “ll”, të Kodit Zgjedhor, ju propozoj të ndryshohet neni 25, pika 8, sipas tekstit që i bashkëlidhet kësaj shkrese.

Duke ju falënderuar për mirëkuptimin, Me respekt, Ilirjan CELIBASHI, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve.

ME TE LEXUARAT