“Unë fitoj sepse e marr seriozisht popullin…”/ Rama i kthehet komentuesit: Ata humbin, sepse e meritojnë
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur një komentuesi në facebook, se fitorja e tij politike lidhet me respektin dhe seriozitetin ndaj qytetarëve.
“Ta dish ti, unë fitoj jo se jam ndonjë kushedi se kush, por sepse e marr shumë seriozisht këtë popull dhe problemi fillon ekzaktësisht këtu,” tha Rama, në rubrikën e radhës “Sy m’sy” në profilin e tij në facebook.
Rama tha se shumë prej kundërshtarëve të tij nuk e pranojnë asnjëherë humbjen, ndonëse e meritojnë.
“Ti i përket asaj pjese të dynjallëkut që nuk e merr seriozisht, se të duket vetja kushedi se çfarë. Problemi nuk është që humb kohën me mua këtu, por me ata që të përfaqësojnë ty.
Ata nuk e pranojnë kurrë se humbin, edhe pse e meritojnë, dhe ia vënë fajin gjithmonë të tjerëve,” vijoi ai. Rama shtoi se nuk hyn tek ata që shajnë me libër shtëpie, por do e bëjë dhe ai pjesën e tij.
“Ky popull, ty e kujtdo si ti – por dhe mua – na jep ujë në bisht të lugës nëse na gënjen mendja dhe nuk e marrim seriozisht.”, tha Rama.