"Treni bullgar" në Peqin/ PD kërkesë KQZ: Na jepni informacion për fletët e falsifikuara...
PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore i ka kërkuar informacion KQZ në lidhje me materialet zgjedhore të sekuestruara në Peqin.
Një shtetas që dyshohet se është përfshirë në blerje votash në 11 maj u vu në pranga disa ditë më parë. Dervish Beqirit iu gjetën dhe sekuestruan 10 fletë votimi, të paplotësuara, të dyshuara të falsifikuara, si dhe një listë emërore e zgjedhësve.
Policia sekuestroi edhe portofolin e tij, brenda të cilit ishin 280 000 lekë si dhe një pushkë e vjetër trofe e një pistoletë sportive, që i mbante në shtëpi. Ai akuzohet për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Rasti u denoncua një ditë para arrestimit nga kryedemokrati Sali Berisha, i cili tha se në Elbasan është përdorur ‘skema e trenit bullgar’.