“Ta bëjmë natën ditë”/ Çfarë po paralajmëron Sali Berisha nga ballkoni i banesës së tij?

Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se Triumfi i Tiranës është fitore vendimtare për qeverinë teknike të ardhshme dhe rikthimin e opozitës në pushtet.
Nga ballkoni i banesës së tij ku prej 30 dhjetorit po vuan arrestin e shtëpisë, Berisha iu referua protestave të fundit të zhvilluara para bashkisë së Tiranës, ku tha se duhet “ta bëjmë ditën natë”, deri në protestën e ardhshme që do të mbahet të martën.
“Është koha e provës, është ora e provës për çdo shqiptar që ndjehet opozitar. Për çdo shqiptar që përjeton padrejtësi në kurrizin e tij. Të bashkohemi në një front të përbashkët. Fitoren e kemi të sigurt”, tha Berisha.
Po ashtu Berisha ftoi profesionistët e lirë në protestë. “Bashkohuni me ne për padrejtësinë e madhe që u ka bërë Edi Rama”, tha ish kryeministri.
“Kam një thirrje të veçantë për ata dhjetëra mijëra specialistë dhe ekspertë të profesioneve të lira, shërbëtorë të nderuar të qytetarëve shqiptarë. Bashkohuni me ne për padrejtësinë e madhe që u ka bërë Edi Rama. Bashkohuni me ne të përballemi dhëmb për dhëmb jo vetëm për veten, por për fëmijët tanë, për mbarë shqiptarët.
Studenteve dhe studentëve, gjimnazistëve dhe gjimnazisteve iu bëj një thirrje zemre, ngrihuni në lartësitë e ëndrrës suaj se ju, se familja, se Shqipëria nuk ka asgjë më të bukur se ëndrrën tuaj të bëhet realitet”, u shpreh Berisha.


