Shqipëria hap negociatat për grupkapitullin e tretë të ‘Konkurrueshmërisë’! Ministri Hasani: Tregues i qartë se jemi afër anëtarësimit!
Pasditen e sotme u zhvillua në Bruksel, Konferenca e 5-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, e cila miratoi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë mbi 8 kapituj të përfshirë në Grupimin e 3-të: “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm historik përpara në negociatat e vendit tonë për anëtarësim në BE.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili kryesoi delegacionin shqiptar në Bruksel thotë se ky hap është reflektim i progresit të Shqipërisë në rrugën drejt BE.
"Një gurthemel i ri i hedhur me hapjen zyrtare të Grup-Kapitullit 3 - Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse - gjatë Konferencës së 5-të Ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel.
Hapja e 8 kapitujve të rinj sot reflekton progresin e bazuar në meritë të Shqipërisë dhe është një tregues i qartë se sa shumë kemi arritur brenda një kohe shumë të shkurtër.", shprehet Hasani.