PS shpall platformën për Mandatin e Katërt, nis Kongresi i Jashtëzakonshëm
Partia Socialiste ka nisur Kongresin e jashtëzakonshëm në Pallatin e Kongrese. Mbledhja në ditën e Rinisë nisi me një valle nga fëmijët të veshur me veshje tradicionale shqiptare dhe motivet kuqezi. Fjalën e hapëse e ka marrë, Ministrja për Marrëdhënie me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Në forumin më të lartë të selisë rozë do të miratohen emrat e sekretarëve të rinj edhe pse e kanë marrë detyrën që u caktoi kryesocialisti Rama në shtator të këtij viti. Në axhendë parashikohet që përpara fjalës së Ramës, që do të mbahet në orën 16:40, në 6 panele njëri pas tjetrit, të përbërë nga ministrat dhe drejtuese të PS-së, të flitet për sektorë si dhe për platformën e Sekretarit të Përgjithshëm Klosi për rigjenerim e kësaj force.
Sipas agjendës të bërë publike, do të jenë gjashtë panele, ku do të diskutohet nga Reforma në Drejtësi e deri tek Inteligjenca Artificiale. Bledi Çuçi lajmëroi se sot do të bëhet një përmbledhje e gjithë rrugëtimit të qeverisë dhe do të reflektohet mbi gjërat që duhen të bëhen më mirë si dhe për projektin e Shqipërisë 2030.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
“E jashtëzakonshme është se nuk është as zgjedhor dhe as sipas rutinës. Është një kongres që bëhet për të bërë një përmbledhje, për të reflektuar mbi gjërat që duhet të bëjmë më mirë dhe për të përcaktuar vizionin tonë për Shqipërinë e vitit 20303″, u shpreh Çuçi.
Kryesocialisti Edi Rama do të jetë i fundit që do t’i drejtohet të tijve. Përgjatë paradites deri në pasditen e vonë në podiumin e Pallatit të Kongreseve do të kenë fjalën e tyre përfaqësues të ndryshëm të qeverisë dhe partisë. Njëjtë si me kongresin e fundit, në gjashtë panele të ndryshme, ministrat do të bëjnë një përmbledhje të arritjeve në çështje të rendit, sigurisë, energjisë apo shëndetësisë dhe do të prezantojnë synimet deri në përfundim të mandatit të tretë qeverisës.
Kongresi do të përshëndetet edhe nga miqtë e PS në Evropë, të partive simotra. Paralelisht me votëbesimin e sekretarit të përgjithshëm të socialistëve, Blendi Klosi do të bëjë publike dhe platformën për arritjen e objektivit, fitoren e mandatit të katërt qeverisës. Fjala e fundit dhe ajo që do të përcaktojë qasjen e qeverisë ndaj vendimmarrjeve të rëndësishme, drejtësisë dhe opozitës do ta thotë Edi Rama. Përveç kësaj agjende, ende nuk dihet nëse kongresi i jashtëzakonshëm i socialistëve do të prodhojë ndonjë vendimmarrje të papritur.
Sekretari i Përgjithshëm i PSsë Blendi Klosi në një intervistë për “Klan News” u shpreh se gjatë Kongresit të jashtëzakonshëm të PS që do të mbahet ditën e nesërme pritet të ketë edhe një proces votimi për dakordësinë lidhur me platformën e rienergjizimit të Partisë Socialiste. Klosi gjatë fjalës së tij dha detaje lidhur më agjendën e Kongresit ku u shpreh se do të ketë gjashtë panele të ndërtuara që lidhen me problematika të ndryshme në vend dhe fjala e kryetarit të Partisë, Edi Rama do të jetë përmbyllëse.
“Nuk diskutohet që një nga sfidat e politikës është qenia e besueshme dhe pastaj atraktive për të rinjtë, të cilët gjithmonë e më shumë nuk besojnë në politikë. Një nga shtyllat e platformës tona është edhe anëtarësimet e reja. Objektivi që të shtojmë 10 mijë gra dhe vajza të reja në Partinë Socialiste.
Vetëm numrat nuk mjaftojnë dhe ajo që do synojmë është që të kthejmë sa më shumë të jetë e mundur përfaqësimin e PS ashtu siç duhet në territor, duke pasur më shumë akses të drejtpërdrejt tek njerëzit. Këto janë punë të një partie të madhe që punon në mënyrë të strukturuar pasi mendojmë se për ta mbajtur fort një organizatë kaq të madhe sa PS na duhen shumë element të rinj, shumë rini”, deklaroi Klosi.
Lidhur me detajet ai tregoi: “Ka gjashtë panele të ndërtuara, fillon me përshëndetjet e përfaqësuesve të lartë të strukturave socialiste në Europë dhe në internacionalen socialiste. Do të kemi panele që kanë të bëjnë më jetën e vendit, problematikat kryesore, reforma në drejtësi, siguria, projektet prioritare, investimet, infrastruktura, zhvillimi ekonomik, problematika që kanë të bëjnë me pushtetin vendor dhe sfidat që ka përballë tij. Do të jetë ajo platforma, përgatitja që ne kemi për të rienergjizuar jetën e brendshme në PS.
Një panel i dedikuar do të jetë për sigurinë, politikën e jashtme, pozicioni që ka Shqipëria në arenën ndërkombëtare. Fjala e kryetarit të partisë që do të jetë përmbyllëse dhe më vonë do të kemi një mbledhje të asamblesë tonë që ka të bëjë me agjendën e punës së Partisë Socialiste. Parashikohet të zgjasë disa orë ku do të jetë një kongres pune me shumë diskutime dhe ndarje mendimesh dhe në fund do të kemi një proces votimi dakordësie për platformën e rienergjizimit. Është një ditë e gjatë pune për PS-në”.