Organizatat mjedisore bojkotojnë dëgjesat e Ministrisë së Mjedisit: S’ka dialog pa shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura

Organizatat e Shoqërisë Civile mjedisore kanë njoftuar se do të bojkotojnë proceset konsultuese të Ministrisë së Mjedisit, duke deklaruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë tryezë diskutimi për sa kohë mbetet në fuqi Ligji nr. 21/2024 për ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Përmes një deklarate të përbashkët, organizatat bëjnë të ditur se kanë refuzuar të marrin pjesë në tryezën e konsultimit publik për projekt-aktet e thirrur nga Ministria më 12 qershor, duke mos paraqitur as komente teknike. Sipas tyre, pjesëmarrja në këtë proces do të nënkuptonte legjitimimin e një situate që ata e kundërshtojnë prej kohësh.
Në deklaratë thuhet se, ndërsa institucionet flasin për përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, organizatat mjedisore shohin me shqetësim avancimin e projekteve infrastrukturore dhe turistike brenda rrjetit të zonave të mbrojtura.
Shoqëria civile mjedisore kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të miratuara me Ligjin nr. 21/2024, si edhe anulimin ose moslejimin e projektit për ndërtimin e resorteve turistike në Zonën e Mbrojtur “Pishë Poro-Nartë”, duke i cilësuar këto si kushte paraprake për çdo dialog të mëtejshëm me institucionet.
Sipas organizatave, kjo çështje lidhet edhe me procesin e integrimit evropian, pasi mbrojtja efektive e zonave të mbrojtura dhe përafrimi me standardet evropiane të biodiversitetit janë pjesë e kërkesave të Komisionit Evropian në kuadër të negociatave.
"Organizatat e Shoqërisë Civile e konsiderojnë shfuqizimin e ndryshimeve të miratuara me Ligjin nr. 21/2024 si edhe anulimin/moslejimin e projektit të ndërtimit të resorteve turistike në Zonën e Mbrojtur “Pishë Poro-Nartë” si një kusht të panegociueshëm dhe paraprak për çdo dialog të mëtejshëm institucional mbi çështjet e mjedisit dhe procesin e integrimit evropian. Kjo kërkesë nuk përfaqëson vetëm një shqetësim të organizatave mjedisore, por është reflektuar qartë edhe në piketat përmbyllëse (closing benchmarks) të Komisionit Evropian për kapitullin 27 të negociatave, të cilat kërkojnë garantimin e mbrojtjes efektive të zonave të mbrojtura dhe përafrimin e plotë me standardet evropiane të ruajtjes së biodiversitetit. Për këtë arsye, Organizatat e Shoqërisë Civile nuk e konsiderojnë relevante pjesëmarrjen në konsultime teknike për akte të reja ligjore dhe nënligjore, për sa kohë që çështja më themelore e mbrojtjes së zonave të mbrojtura mbetet e pazgjidhur. Përpjekjet për të demonstruar progres në procesin e integrimit nuk mund të jenë të besueshme kur problematika më serioze identifikuar në fushën e mjedisit vazhdon të mbetet e hapur. Ky qëndrim merr një rëndësi të veçantë në një moment kur qytetarët, aktivistët dhe komunitetet lokale në mbarë vendin kanë protestuar për 12 ditë me radhë, duke kundërshtuar cenimin e zonave të mbrojtura dhe duke kërkuar mbrojtjen e trashëgimisë natyrore të Shqipërisë" thuhet në deklaratë
Deklarata është mbështetur nga 18 organizata të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e mjedisit dhe mbrojtjes së natyrës. Ajo vjen teksa protestat para kryeministrisë, nxitur nga kundërshtia ndaj investimit 4 miliard dollarësh në Zvërnec kanë hyrë në ditën e tyre të 13-të.
Lista e organizatave të shoqërisë civile që mbështesin bojkotin e dëgjesave publike (Në rend alfabetik)
AlbNatyra Association
CELIM Shqipëri CoPlan,
Instituti për Zhvillimin e Habitatit EcoAlbania
GARD - Grupi i Aktivisteve Rurale te Dibres
LUMI
Përtej të Sotmes
Pseda-ILIRIA
Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri (REC Albania)
Qendra Mjedisore për Zhvillim Edukim dhe Rrjetëzim (EDEN)
Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA)
Qendra per Transparencë dhe Informim të Lirë Rrjeti per Raportimin e K.O.K.Sh
SEEP Shtëpia e Gjelbër Shoqata “Qendra Sociale në Ndihmë të Njerëzve në Nevojë” Fushë-Arrëz
Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) VIS Albania


