Protestuesit përleshen me policinë, tentojnë të futen në Bashkinë e Tiranës, ndërhyjnë skafandrat
Protesta para Bashkisë së Tiranës është përshkallëzuar nga qytetarët ku kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut Erion Veliaj pas aferës “5D”.
Pas molotovit të hedhur në drejtim të Bashkisë së Tiranës, protestuesit janë përleshur me policinë pasi po tentojnë të futen brenda bashkisë së Tiranës.
Siç mund të shihni nga pamjet, efektivët bashkiakë janë zëvendësuar nga skafandrat e policisë të cilët qëllojnë protestuesit me shkopinj gome.
Mes protestuesve bie në sy deputetë të opozitës të cilët janë shtyrë dhe dhunuar nga forcat e policisë.
Fillimisht janë hequr hekurat e vendosur si barrierë, ndërsa protestuesit më pas janë përleshur me policinë e Veliajt.
Këshilltarët bashkiakë të opozitës kanë kërkuar që të futen brenda bashkisë por policia e Veliajt nuk i ka lejuar të ushtrojnë detyrën e tyre.
Kujtojmë që edhe këtë herë, qytetarët fillimisht goditën institucionin me mollë. Më pas situata u tensionua ku protestuesit kanë hedhur koktejl molotov para derës së Bashkisë së Tiranës.
Nga plasjet, ka marrë flakë dera e Bashkisë Tiranë, ndërkohë që policët e Veliajt të shumtë në numër me fikse zjarri kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve. Gjithashtu portestuesit kanë hedhur bojë të zezë në drejtimin të godijnës që administrohet nga Veliaj kurse “patronazhistët” sipër institucionit kanë fotografuar qytetarët për t’i arrestuar dhe t’i mbyllur gojën.
Kjo është protesta e radhës që po mbahet nga qytetarët e Tiranës pas skandalit të fundit ku u zbuluan drejtorët të bashkisë duke grabitur miliona euro. Protestuesit kanë kërkuar që SPAK të vërë para përgjegjësisë personat e akuzuar dhe kryebashkiaku i Bashkisë, Erion Veliaj të japë dorëheqjen.
Përplasje me policinë te Bashkia, protestuesit ‘çajnë’ rrethimin metalik
Përplasje mes policisë te Bashkia e Tiranës dhe protestuesve.
Demokratët, Flamur Noka dhe Klevis Balliu kanë prirë protestuesit, ndërsa kanë arritur që të çajnë kordonin metalik të vendosur nga policia.
Në ndihmë për të lëvizur gardhin metalik i kanë ardhur dhe qytetarë, ndërsa protestuesit kërkojnë që të futen brenda bashkisë.
FOTO/ Protestuesit hedhin molotov, përfshihet nga flakët Bashkia e Tiranës
Protestuesit e opozitës kanë hedhur molotov në drejtim të Bashkisë Tiranë ndërsa godina është përfshirë nga flakët. Siç duket nga pamjet, flakët kanë përfshirë hyrjen e institucionit.
Përshkallëzohet tubimi, protestuesit hedhin mollë dhe bojë të zezë në drejtim të bashkisë Tiranë
Pamjet që shihni tregojnë momentin kur protestuesit hedhin bojë të zezë dhe mollë në drejtim të bashkisë së Tiranës.
Opozita, por edhe qytetarë po protestojnë që prej orës 11:00 para bashkisë, pas arrestimeve të disa ish-zyrtarëve të këtij institucioni për abuzim me detyrën për dosjen ‘5D’.
Ata kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj.
Nis protesta e opozitës para Bashkisë Tiranë, godina rrethohet me gardh metalik dhe efektivë policie
Opozita zhvillon ditën e sotme protestën e radhës para Bashkisë Tiranë për dosjen 5D, ku drejtorë dhe ish-zyrtarë të u vendosën në pranga.
Godina e Bashkisë është rrethuar me gardh metalik dhe forca të shumta policie.