"Krenaria e tallavasë së integrimit!"/ Meta, ironi me Ramën nga qelia: Kur ai të bëhet 110-vjeç e t'i afrohet...
Në një postim të fundit në Facebook, Ilir Meta, presidenti i Partisë së Lirisë, kritikoi ashpër deklaratat e Kryeministrit Edi Rama në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Meta e cilësoi këtë si një “tallava” të integrimit.
Meta theksoi se, ndërsa Rama mburret për hapjen e negociatave, ai po injoron faktin se ky zhvillim ishte pothuajse i paevitueshëm për shkak të arsyeve gjeopolitike, sidomos pas konflikteve që po ndodhin në Ukrainë, të cilat e detyruan BE-në të fokusohet më shumë në çështje të tilla. “Nuk do të ishte mirë të falenderonim një fatkeqësi si lufta e Ukrainës për hapjen e negociatave të vendit tonë,” shkroi Meta.
Meta e kritikoi gjithashtu Rama për bllokimin e procesit të integrimit për vite të tëra, duke përmendur se në vitin 2020 ai i bllokoi negociatat për shkak të emërimit të kryetarit të Qarkut Fier dhe pengoi zhvillimin e zgjedhjeve lokale pa opozitë. Meta argumentoi se, ndonëse Shqipëria firmosi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit në vitin 2006 – para Malit të Zi dhe Serbisë – këto dy shtete e hapën negociatën më herët, në 2012 dhe 2014, respektivisht.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
“Rama mburret se i ka hapur tani negociatat, por të gjithë e dimë se këto dy vende kanë pasur vështirësi të mëdha pas luftës në Jugosllavi dhe nuk kanë pasur mbështetje të plotë nga shoqëritë e tyre për integrimin në BE, ndryshe nga Shqipëria, ku mbështetja është masive,” shtoi Meta.
Meta kritikon gjithashtu mënyrën se si Rama e ka menaxhuar procesin e integrimit, duke theksuar se qeverisja e tij është më shumë e fokusuar në mbajtjen e pushtetit të pashoq dhe pasurimin personal, sesa në përmirësimin e vendit dhe avancimin e integrimit europian. Sipas tij, Shqipëria do të arrijë të realizojë integrimin në Bashkimin Europian vetëm pas shumë dekadash, kur Rama të jetë 110 vjeç dhe të ketë bërë mandatet e tij të 20-ta në krye të qeverisë.
POSTIMI:
"Krenaria" e tallavasë të integrimit
Edi Rama ose tallavaja e integrimit është krenar se qenkan çelur negociatat me Bashkimin Europian, kur ishte e pamundur, që ato të shtyheshin më tej. (Nuk do ishte mirë të falenderonim një fatkeqësi si lufta e Rusisë kundër Ukrainës, për çeljen e negociatave tona.)
Nuk i mjaftoi që e bllokoi procesin e integrimit europian për dy vite për shkak të kryetarit të Qarkut Fier. Nuk i mjaftoi që e bllokoi çeljen e negociatave për vite të tëra se donte të bënte zgjedhje lokale pa opozitë, siç i bëri, por edhe shumë zhvillime (bllokime) të tjera (të qëllimshme).
Por ndërsa Shqipëria e firmosi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit në vitin 2006, pra përpara Malit të Zi dhe Serbisë, këto dy vende i çelën negociatat, Mali i Zi në 2012 dhe Serbia në 2014. Ndërsa Edi Rama mburret se i ka çelur tani, kur dihet që këto dy vende kanë patur probleme madhore nga ish–lufta në Jugosllavi dhe po kështu nuk kanë një përkrahje totale nga shoqëritë e tyre për integrimin europian, krejt ndryshe nga ç'është në vendin tonë, mbështetje mbarëpopullore.
Shqipëria është kaq mbrapa se ka Edi Ramën që dështimin do ta shesë si arritje dhe papërgjegjshmërinë e ka në AND-në e tij, pasi pushteti absolut dhe pasurimi skizofrenik janë “idealet" e tij. Kjo është arsyeja që sipas modelit mediokër, klientelist të Edi Ramës, konvergjenca me Bashkimin Europian mund të realizohet me këto ritme 3.5 - 4%, vetëm pas më shumë se ngjysëm shekulli ose kur ai të bëhet 110-vjeç dhe kur t'i afrohet mandatit të 20-të në krye të Qeverisë.
Nëse ka arsye reale të jemi “krenarë” kjo ka të bëjë me faktin se jemi vendi që edhe fondet e IPARD-it për bujqësinë i çuam te inceneratorët. Po kështu, falë korruptimit që u bënte Edi Rama ambasadorëve, dëgjuam ambasadorë që deklaronin që një vend më mirë të jetë pa Gjykatë Kushtetuese, se me Gjykatë Kushtetuese të korruptuar. Si nuk tha një prej këtyre që më mirë një vend të jetë pa Qeveri, se me Qeverinë më të korruptuar në Europë. Po kështu duhet të jemi “krenarë” se vetëm Edi Rama mund të korruptonte kryeagjentin e FBI, McGonigal dhe shumë krenari të tjera.
Pra ai është fiks siç e thoshte i paharruari Teodor Keko: I dhjerë por krenar. Sidomos për integrimin. Dikur për t'u mbrojtur nga akuzat për korrupsionin e tij të frikshëm, deklaronte se nuk ka hajdut 2 metra. Meqënëse kjo përgjigje antropologjike u rrëzua, tani si argument është se po të ishte korrupsioni kaq i lartë, pse u çelën negociatat? Janë dy arsye kryesore: Së pari, nuk mund të shtyheshin pafund edhe për arsye gjeopolitike. Së dyti, si rruga më e mirë për të kontrolluar sadopak një Qeveri që kishte kapur çdo gjë edhe me korruptimin e zyrtarëve ndërkombëtarë dhe përsëri këtu është meritë edhe e opozitës.