Kërcënoi për para ish-deputetin socialist, arrestohet 24 vjeçari me dy kaçavida në xhep 

Politikë

Kërcënoi për para ish-deputetin socialist, arrestohet 24

Një 24 vjeçar nga Tirana është arrestuar nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, pasi ka shantazhuar për t'i marrë para ish-deputetin socialist Vladimir Kosta. Ka qenë vetë ky i fundit që ka bërë kallëzim në Policinë e Tiranës.

Ish-deputeti dhe biznesmeni Vladimir Kosta akuzohej nga shtetasi me iniciale S.T se i kishte dëmtuar shtëpinë dhe për këtë arsye kërkonte t'i merrte para.

Blutë e kryeqytetit thonë se 24 vjeçari, në vende dhe periudha të ndryshme kohore, ka kanosur ish-deputetin 60 vjeçar për dhënie pasurie, derisa Vladimir Kosta ka vendosur t'i drejtohet autoriteteve, kur ka parë se shantazhet vetëm shtoheshin.

Mbrëmjen e së martës, ish-deputeti është udhëzuar nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë që të caktonte takim me 24 vjeçarin, për t'i dhënë paratë që ai kërkonte.

Sapo shtetasi me inicialet S.T është afruar pranë vendit ku është lënë takimi, në zonën e Saukut, kanë ndërhyrë agjentët e Policisë së Tiranës dhe i kanë hedhur prangat. Gjatë kontrollit fizik, 24 vjeçarit i janë gjetur dhe dy kaçavida.

"Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë arrestuan shtetasin S. T., 24 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë", parashikuar nga neni 109/b i Kodit Penal.

Ky shtetas dyshohet se, në vende dhe periudha të ndryshme kohore, ka kanosur një 60-vjeçar për dhënie pasurie, me pretendimin se ky i fundit i ka dëmtuar atij banesën. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy mjete të mprehta (kaçavida), të cilat ju gjetën shtetasit S. T. gjatë kontrollit fizik. Materialet i kaluan Prokurorisë", njofton Policia e Tiranës.

ME TE LEXUARAT