Ish-ministri Fatmir Xhafaj: Korrupsioni duhet konsideruar emergjent, është në çdo nivel të qeverisjes!

Politikë

Ish-ministri Fatmir Xhafaj: Korrupsioni duhet konsideruar emergjent,

Mbetet plagë për shoqërinë shqiptare. Kështu e konsideron korrupsionin ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili kërkon nisjen e një beteje të fortë institucionale e publike gjithëpërfshirëse kundër tij, duke marrë si shembull SHBA-të dhe strategjinë e Presidentit amerikan Joe Biden.


Xhafaj shkruan se kur vende të zhvilluara e kanë përcaktuar si prioritet, Shqipëria duhet ta konsiderojë emergjente.


POSTIMI I PLOTË

Merr lajme ekskluzive në Viber

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Viber duke klikuar këtu.


Përtej tymit… ka sfida
Nga Fatmir Xhafaj
Tymnaja politike e bravave, levave dhe megafonëve rreth tyre, duket se do të vazhdojë edhe për shumë gjatë të dominojë skenën politike, mediatike dhe shoqërore. Teksa selia e PD-së fatkeqësisht vijon të nxjerrë tym të zi derisa të digjen plotësisht të gjitha zullumet, intrigat, autokracitë dhe gënjeshtrat që kanë berishizuar dhe lulëzuar për vite me radhë aty brenda, nuk duhet të lejojmë që ai tym mbytës të na zërë shikimin për të hedhur vështrimin edhe në dimensione të tjera ku duhet të orientohemi si politikanë, si ligjvënës dhe si shqiptarë që të sotmen e duam më të mirë se të djeshmen dhe të nesërmen më të mirë se të sotmen.

Nuk kam për qëllim t’i tregoj askujt se çfarë duhet të bëjë, por nën peshën e rëndë të votës së qytetarëve, kam për detyrë të flas hapur për atë çka na shqetëson dhe preokupon për të propozuar ide e zgjidhje që s’vijnë nga unë, por nga modelet më të mira të demokracive perëndimore që pavarësisht niveleve të larta ku kanë arritur, nuk ndalojnë kurrë se ngrituri mekanizma për t’i shpëtuar amortizimit, stanjacionit dhe për t’u konsoliduar akoma më tej.


Një prej tyre është i freskët, i qartë dhe sfidues, ku më 3 qershor 2021, presidenti amerikan Joe Biden vendosi luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor të sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe veç 6 muaj më pas administrata Biden-Harris miratoi Strategjinë për luftën kundër korrupsionit nën pesë shtylla që përforcojnë njëra-tjetrën: 1. Modernizimi, koordinimi dhe ofrimi i burimeve për përpjekjet e Qeverisë Amerikane në luftën kundër korrupsionit; 2. Ndalimi i financimeve të paligjshme; 3. Vendosja para përgjegjësisë të aktorëve të korruptuar; 4. Ruajtja dhe forcimi i arkitekturës shumëpalëshe kundër korrupsionit; 5. Përmirësimi i angazhimit diplomatik dhe shfrytëzimi i asistencës së huaj për të arritur qëllimet e politikës kundër korrupsionit.



Siç është e njohur tashmë, kjo u pasua edhe nga një samit organizuar nga presidenti amerikan në muajin dhjetor, me liderët politik nga gjithë bota, aktorë të shoqërisë civile dhe sektorit privat i fokusuar në tre tema kyçe: 1. Forcimi i demokracisë dhe mbrojtja kundër autoritarizmit; 2. Adresimi dhe lufta kundër korrupsionit; 3. Promovimi dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Një samit i shndërruar në një lëvizje që me suksesin e pritshëm mund të bëjë histori nisur nga zhvillimet delikate ndërkombëtare që jetojmë dhe posaçërisht nga sfidat që përballet sistemi demokratik përgjithësisht dhe demokracitë e reja veçanërisht.
Akoma e më tepër, kur demokracitë janë të brishta duke u rrotulluar prej dekadash në tranzicion të tejzgjatur si ky i yni, nevojitet një qasje serioze për të ofruar progres në qëndrueshmërinë ekonomike, sociale dhe politike. Nëse për SHBA-në dhe shumë vende të tjera me demokraci të konsoliduar, këto problematika konsiderohen prioritete, atëherë për ne duhen konsideruar emergjente. Ndaj le të shërbejë iniciativa e tyre si një leksion primar jo vetëm demokracie, por edhe politik për të mësuar, reflektuar, implementuar dhe vepruar në të njëjtin ritëm e strategji.

Sot, duhet pranuar, që këto sfida janë emergjente pavarësisht përpjekjeve të mëdha që kemi bërë bashkërisht nëpërmjet një sërë politikash dhe masash për të luftuar korrupsionin në të gjitha fushat, ndërtimin e instrumenteve të qëndrueshëm për luftën ndaj korrupsionit dhe krijimin e një sërë institucionesh të pavarura të cilat janë pjesë e luftës ndaj korrupsionit. Fatkeqësisht, përsëri besimi te institucionet e ndryshme të qeverisjes mbetet në shifra të ulëta dhe korrupsioni mbetet realisht një plagë në shoqërinë shqiptare. Pavarësisht se duam apo nuk duam ta pranojmë, preferojmë apo nuk preferojmë ta themi me zë të lartë, ai është aty duke na sfiduar çdo ditë, në çdo sektor dhe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe për fat të keq shpesh gjejmë bashkëpunimin e zi midis politikës së të gjitha krahëve, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky është fakt, të tjerat janë veç fjalë qoftë dje, qoftë sot.


Megjithëse këto vite është bërë shumë punë, që para së gjithash meriton respekt për nismat e marra, reformat në implementim dhe bilancin e arritur deri më sot, përsëri ngelet e pamjaftueshme në raport me problematikat serioze që shfaqen, përgjegjësitë e mëdha që mbartim por edhe me kapacitetet e mëdha institucionale e administrative që kemi angazhuar e financuar në zbatimin e ligjit.


Ashtu siç u theksua fort në samitin e Uashingtonit, është korrupsioni dhe pandëshkueshmëria ato që hanë si të babëzitur në themelet e shoqërive demokratike, çka e bën qeverisjen më pak efektive, sulmon bazat e institucioneve demokratike, nxit dhe intensifikon ekstremizmin dhe e bën më të lehtë për autoritarizmin të gërryej qeverisjen demokratike.



Andaj, në reflektim të angazhimeve tona ndërkombëtare si pjesë aktive e këtij samiti ndërkombëtar, si vend anëtar i NATO-s, si vend kandidat për familjen europiane dhe para së gjithash si domosdoshmëri për të mbrojtur e konsoliduar demokracinë në vend, për të ruajtur e forcuar besimin e qytetarëve te sistemi demokratik dhe institucionet e tij, për të ushqyer shpresën e fortë te rinia për një të ardhme të sigurt demokratike të shoqërisë, duhet të nisim një betejë të fortë institucionale e publike gjithëpërfshirëse, për të vepruar ndaj këtyre fenomeneve me pasoja të egra dhe afatgjata politike, ekonomike dhe sociale.


Meqenëse viti 2022 është konsideruar një “VIT VEPRIMI” për të çuar përpara qëllimet e samitit ku edhe Shqipëria ishte pjesë, përfaqësuar nga Kryeministri z.Edi Rama, është tani momenti që të gjithë bashkërisht duhet të nisim një debat të sinqertë publik, të ngremë ura komunikimi me njëri-tjetrin e të gjithë aktorët, të nxjerrim mësime nga praktikat më të mira ndërkombëtare, të hartojmë një platformë gjithëpërfshirëse dhe të organizojmë struktura efiçente e të mirëbesuara që do të vendosen në veprim. Mbi të gjitha, na duhet të veprojmë pa shumë retorikë konfliktuale, por me ide, zgjidhje e veprime konkrete të peshuara me rezultate konkrete.

ME TE LEXUARAT