Begaj letër Kushtetueses: Përcaktoni skemën si do bëhet ripërtëritja e trupës gjyqësore
Presidenti Bajram Begaj i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të përcaktojë skemën e ripërtëritjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Në një kërkesë dërguar Kushtetueses, kreu i Shtetit tha se kjo gjykatë duhet të shprehet edhe për dy mandate të tjera të anëtarëve si në rastin e Holta Zaçajt.
“Gjykata Kushtetuese ka deklaruar mbarimin e mandatit për gjyqtaren Zaçaj, por nuk ka vepruar për të deklaruar mbarimin e dy mandateve të tjera që përfshihen në përtëritjen e parë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të vitit 2016. Nëse nuk deklarohet mbarimi i dy mandateve të tjera dhe arsyetimi i bërë për mandatin e gjyqtares Zaçaj nuk vlen për dy mandatet e tjera, nuk mund të ketë përtëritje të pjesshme të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2025. Për pasojë, shkurtimi i mandatit të gjyqtares Zaçaj i bie të jetë bërë në kundërshtim me Kushtetutën”, shkruan Begaj.
Sipas tij “Nëse është e vërtetë se, “në ekuilibrin midis parimit të qëndrueshmërisë në detyrë dhe atij të përtëritjes së Gjykatës”, ky i fundit prevalon, atëherë Gjykata Kushtetuese duhet të kishte përfunduar procedurën për deklarimin e mandatit të gjyqtares Bejtja dhe të kishte njoftuar Presidentin e Republikës për vakancën përpara datës 25.1.2025 (pika 3 e nenit 9 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”). Kjo gjë jo vetëm nuk ka ndodhur, por edhe nuk ka asnjë njoftim publik nga ana e Gjykatës Kushtetuese në këtë Drejtim”.