Prishtina ‘’në këmbë’’ për UÇK-n, vijon edhe sot tubimi: O Hashim ku je, krejt Kosovën këtu e ke…

Kosovë&Rajon

Prishtina ‘’në këmbë’’ për
Një grup studentësh dhe qytetarësh kanë protestuar sërish sot në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta ka nisur në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa pjesëmarrësit kanë marshuar nëpër qendër të kryeqytetit, duke mbajtur flamuj dhe pankarta në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrjet “UÇK, UÇK, UÇK”, ndërsa protestuesit kanë kërkuar që procesi gjyqësor të vijojë në Gjykatën e Apelit.

Në pankarta janë shfaqur mesazhe si “Jo në emrin e studentëve” dhe “Nuk ka gjyq që ju gjykon në emër të popullit. Të pafajshëm përgjithmonë!”.

Përfaqësuesi i studentëve, Ilir Cani, e ka cilësuar vendimin si të ndikuar politikisht, duke pretenduar se ai nuk lidhet me drejtësinë. Ai tha se protesta është zhvilluar në mënyrë paqësore dhe paralajmëroi tubime më të mëdha nëse situata nuk ndryshon.

“Liri çlirimtarëve, rroftë UÇK-ja, rroftë kombi shqiptar. Ai vendim është marrë me influencë politike, nuk kishte të bënte me drejtësinë”, deklaroi Cani.

Ndërkohë që u dëgjuan edhe brohorima në kor si: “O Hashim, ti ku je, krejt Kosovën këtu e ke”.

Protesta u zhvillua një ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët u dënuan nga Gjykata në Hagë me një total prej 81 vitesh burgim.

Pas gati gjashtë vitesh nga arrestimi dhe një procesi të gjatë gjyqësor, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë shpallur vendimin e shkallës së parë për katër ish-krerët e UÇK-së.

Sipas vendimit, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vite burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite burgim.

Katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën fajtorë për krime lufte nga Dhomat e Specializuara në Hagë, teksa akuza për krime kundër njerëzimit u rrëzua.

Vendimi është i shkallës së parë dhe ndaj tij mund të ushtrohet ankim në Apel.

ME TE LEXUARAT