Përshkruhet si një nga mafiozët më të fuqishëm, kush është biznesmeni turk që po strehohet në Kosovë

Kosovë&Rajon

Përshkruhet si një nga mafiozët më të fuqishëm,
Biznesmeni turk, Sedat Peker i cili në Turqi konsiderohet si një ndër personat më të rëndësishëm të ‘operacioneve mafioze’ që nga vitet e 90-ta, në dy vitet e fundit ka gjetur strehim në Kosovë dhe vendet të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Peker ka një leje të përkohshme qëndrimi në Kosovë, e së fundmi, ai është pajisur edhe me një pasaportë të Maqedonisë së Veriut, me identitet të rremë. Gjatë qëndrimit në Kosovë, disa herë është takuar me disa zyrtarë nga Kosova.

Në një shkrim të publikuar në muajin shkurt të vitit 2019, organizata Nordic Monitor e përshkruan Pekerin si personin më të fuqishëm të mafias turke. Kjo media mbulon lëvizjet ekstremiste fetare, ideologjike e etnike dhe grupet radikale, me një fokus të veçantë në Turqi. Në vitin 1997, Peker u akuza për një vrasje që bëri që ai të largohej drejt Rumanisë, por pak muaj më vonë, një gjykata në Turqi e shpalli të pafajshëm.

Sipas Express, një hetim i nisur kundër krimit të organizuar në fillim të viteve 2000, çoi në arrestimin e Pekerit pesë vjet më vonë. Në fund të procesit gjyqësor, Peker u dënua me 14 vjet burgim për veprën penale “Formimi i një grupi të armatosur terrorist”, por dënimi iu reduktua dhe ai u lirua në vitin në vitin 2014.

Raportimet mediale thonë se Peker në të kaluarën kishte raporte të afërta me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan. Por, së fundmi situata ka ndryshuar pasi Peker dhe grupi i tij kriminal po ndiqen nga autoritetet e Turqisë për veprimtari të ndryshme kriminale. Kjo e ka shtyrë atë që të largohet nga shteti dhe të kërkojë strehim në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pas largimit nga Turqia, në dy vjetët e fundit, Peker gjeti strehim herë në Mal të Zi, herë në Shqipëri, herë në Maqedoni të Veriut e pjesërisht edhe në Kosovë, ku ende ka një leje të përkohshme qëndrimi me të cilën u pajis në vitin 2014.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, për herë të fundit Peker ka hyrë në territorin e Kosovës më 18 janar, 2021 dhe është larguar në drejtim të Shqipërisë pas vetëm dy ditësh. Mediat në Maqedoni të Veriut kishin raportuar se Peker ishte arrestuar të njëjtën ditë për shkak të shkeljes së lejes së qëndrimit dhe se ai ishte deportuar për në Kosovë. Aktualisht Peker është në arrati dhe nuk dihet vendndodhja e tij.

ME TE LEXUARAT